Ka fituar besimin e Josës, portieri i Kukësit: Ëndërroj Kombëtaren, me Tiranën tregojmë forcën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2021 | 17:19

Ka fituar besimin e Josës, portieri i Kukësit: Ëndërroj Kombëtaren, me Tiranën tregojmë forcën

Angjelo Tafa ka arritur të fitojë besimin e Mirel Josës në katërkëndëshin e Kukësit dhe në sfidën e fundit ndaj Kastriotit ia doli ta mbante portën të paprekur. Në një intervistë për “Panorama Sport”, portieri i Shpresave pohon se kjo fitore ka rikthyer qetësinë në skuadër, por kërkojnë që të marrin maksimumin edhe ndaj Tiranës këtë fundjavë. Sipas Tafës, ai nuk mjaftohet vetëm me prezencën tek ekipi i Shpresave të Shqipërisë, pasi një ditë ëndërron Kombëtaren. Sa i përket ndonjë të ardhmeje jashtë vendit, ai pohon se fillimisht dëshiron të fitojë me Kukësin dhe më pas të shohë.

ANGELOO TAFA

Keni fituar besimin e trajnerit, si ndiheni? Po ia shpërbleni ashtu si duhet?

Po, fatmirësisht kam fituar besimin e trajnerit dhe e falënderoj për këtë gjë. Unë po mundohem që në mënyrën më të mirë të mundshme t’ia shpërblej, jo vetëm trajnerit, por gjithë stafit dhe ekipit. Ndihem shumë mirë për këtë gjë.

A keni presion të mbroni portën e një ekipi si Kukësi që ka pasur synim titullin kampion?

Jo, nuk është se kam një lloj presioni, por pa dyshim është një përgjegjësi e madhe, pasi dihen objektivat e Kukësit. Në 10 vitet e fundit është një skuadër që synon gjithnjë të dalë kampion apo minimumi të shkojë në Kupat e Europës.

Jeni rikthyer te fitorja në kampionat pas shumë javësh. Sa e rëndësishme ishte kjo fitore ndaj Kastriotit?

Normalisht ishte një fitore me rëndësi shumë të madhe, sepse skuadra kishte nevojë për këtë fitore. Kishim disa ndeshje që nuk po fitonim dhe ekipi filloi ta humbte disi besimin. Por, ia dolëm, morëm fitoren dhe jemi më të qetë tani.

Ndeshja e radhës, tani me Tiranën. Si e prisni?

Në çdo ndeshje ne futemi për fitore, pa marrë parasysh kundër cilit ekip luajmë. Patjetër që do ta respektojmë kundërshtarin, por synimi ynë është fitorja.

Jeni pjesë e Kombëtares U-21.Mendoni se një ditë mund të shkoni edhe tek ekipi i parë?

Të jesh pjesë e ekipit Shpresa të Shqipërisë është një motiv shtesë për të punuar më tepër. Ky është edhe qëllimi në karrierën time, që një ditë të jem pjesë e Kombëtares. Besoj se do t’ia dal një ditë.

Mendoni të rrini gjatë në Shqipëri apo doni të vijoni karrierën jashtë vendit?

Mendoj se do të rri gjatë, pasi fillimisht objektivi im është që të arrij sukses me Kukësin, pastaj të mendoj për të ardhmen time jashtë Shqipërisë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"