Juvja e ka seriozisht për Goreckën, Bajerni i kërkon në këmbim një talent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2024 | 9:30

Juvja e ka seriozisht për Goreckën, Bajerni i kërkon në këmbim një talent

Leon Gorecka është një objektiv serioz i Juventusit për sezonin e ardhshëm dhe konfirmimet pas thashethemeve italiane vijnë edhe nga Gjermani. Prestigjiozja “Bild” nënvizon edhe faktin se vetë mesfushori gjerman i ka dhënë prioritet ofertave të mundshme nga Premier Liga, ndonëse në të njëjtën kohë edhe Torino i pëlqen shumë, ndaj pritet një verë e nxehtë për 29-vjeçarin.

gorecka

Në Mynih, Gorecka ka humbur shumë pikë, duke qenë se tashmë talenti Pavloviç bind dhe kërkon një hapësirë të gjerë. Kështu që një lojtar kalibri si Gorecka nuk mund të pranojë kurrë që të shndërrohet në një zgjedhje të dytë, qoftë edhe në një rezervë luksi, kështu që ka nisur kërkimin e një destinacioni të ri. Nga ana e tij, Bajerni i Mynihut i ka dhënë leje Juventusit që të bisedojë me futbollistin në pronësi të tyre dhe madje, janë gati që ta hapin një tratativë nga e cila asnjë prej klubeve nuk ka nevojë që të nxjerrë asnjë para nga arkat e tyre.

Sërish “Bild” nënvizon se rekordmenët e Bundesligës janë gati që ta çojnë Goreckën në Torino, nëse Juventusi do të jetë i gatshëm që të lejojë transferimin me destinacion të anasjelltë të talentit argjentinas, Matias Soule, i cili ka shkëlqyer në këtë sezon, te skuadra e Frozinones. Vlerë e Goreckës dhe Soulesë rrotullohet te 40 milionë eurot dhe kjo tratativë ka nisur të studiohet, ndonëse vetëm në vazhdim do të mësohet diçka më tepër.

Ndërkohë, sërish në aksin Torino-Mynih studiohen edhe dy emra të tjerë. Bajerni, përveç Soulesë pëlqen shumë edhe Manuel Lokatelin, ndërkohë që Juventusi ëndërron Leroi Sanenë. Nëse gjermanët kanë shanse për Lokatelin, nëse arrijnë të ofrojnë deri te 30 milionë eurot, “Zonja e Vjetër” e ka shumë të vështirë me Sanenë, ku më shumë sesa vlera e kartonit prej 45-50 milionësh, është paga prej 9.5 milionë eurosh neto në sezon, ajo që tremb italianët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"