Jubani fiton Kupën e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2012 | 9:55

Jubani fiton Kupën e Shqipërisë

J.DANJA – KINOSTUDIO 4-1
GOLAT: Veliu 3′ (11-m), 40+1′, E.Jaku 70′, Rrotani 74’/ Lulaj 20′
JUBAN DANJA: Rripa, Çali, Preçi, Çapnagaj, Vishkulli, Mustarafaj, Muçejani, Veliu, Rrotani, P. Jaku, E.Jaku. Trajner: Kreshnik Krepi.
KINOSTUDIO: Omeri, Tota, Lulaj, Hamiti, A.Gjergji (Koldashi 45′), Lala, Xhakola, K.Çaushllari, Ismaili (A.Çaushllari 66′), Poçesta, Kurti. Trajner: Gëzim Gjonapalaj
GJYQTARË: F.Xhemali, E.Ganxhi, A.Mahmutaj (Elbasan)
KARTONË TË VERDHË: Preçi, Vishkulli / A.Gjergji, Poçesta

Juban Danja është shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë në futboll për femra për sezonin 2011-2012. Skuadra e Juban Danjës fitoi me meritë në finale përballë kryeqytetaseve të Kinostudios me rezultatin 4-1. E programuar të luhej në “Qemal Stafa” për arsye të ruajtjes së terrenit, finalja u zhvendos në Kamzë. Takimi nis shpejt dhe bukur, në mënyrë të veçantë për shkodranet, të cilat që në minutën e 3-të fitojnë një penallti. Ka qenë një aksion i bukur nga e djathta, ku Emanuela Jaku merr një top nga shoqet e saj dhe e kroson saktë në zonë. Aty topi preket me dorë nga një prej lojtareve të Kinostudios dhe arbitri kryesor akordon 11-metërsh, të cilën e kthen në gol kosovarja Avdije Veliu me një gjuajtje mjeshtërore. Në momentin më të mirë të saj, kjo skuadër ndëshkohet për meritë të kundërshtarit. Kinostudio barazon me një goditje dënimi nga rreth 35 metra, ku Lulaj godet drejt në portë, Rripa e prek, por jo për ta devijuar topin, i cili përfundon në rrjetë dhe 1-1. Teksa 40-minutëshit të parë po i afrohej fundit dhe kryesori dha dy minuta shtesë, do të vinte dhe goli i fitores së përkohshme për Jubanin. Ka qenë sërish kapitenia Emanuela Jaku, e cila ashtu si në rastin e golit të parë vepron mjaft bukur nga krahu i djathtë i sulmit. Ajo kroson saktë në zonë dhe aty Veliu, me portën bosh nuk e ka të vështirë ta kalojë për herë të dytë ekipin e saj në avantazh dhe 2-1.
Pjesa e dytë – Takimi rinis më mirë për ekipin shkodran, por me kalimin e minutave Kinostudio e vë në rrezik. Megjithatë, Juban Danja mbrohet me kujdes dhe nuk harron të sulmojë, ku me një gjuajtje nga larg të Vishkullit godet dhe traversën, ndërsa dy golat e fundit të këtij takimi duket se ishin rezervuar në 10 minutat e fundit. Fillimisht Emanuela Jaku, e cila e meritonte një gol në këtë finale në minutën e 70-të, dhe më pas Klaudia Rrotani në të 74-t, vulosën shifrat 4-1. Në të dyja këto raste, aksionet kanë qenë model. Madje, Emanuela Jaku pas shënimit të golit ka vrapuar te pankina për të festuar me të atin e saj, njëherësh president i Juban Danjës, Ferdinand Jaku, që prej krijimit të këtij ekipi, i pari në Shqipëri në futbollin e femrave. Pas tre herë vërshëllimës së gjyqtarit ishte radha e festës, ku ekipit fitues së Juban Danjës iu dorëzuan medaljet e kupës, si dhe kapitenes Emanuela Jaku, trofeu. Një trofe më se i merituar dhe një shpërblim për investimin disavjeçar të Ferdinand Jakut. Trofeun e kupës e dorëzoi shefi i garave në FSHF, Ilir Shulku, ndërsa medaljet për ekipin fitues u shpërndanë nga shefi i futbollit të femrave në FSHF, Endri Hyka, dhe zëdhënësi Lirim Zalla.

Ferdinand Jaku: E prisnim këtë sukses
Presidenti i Juban Danjës, Ferdinand Jaku, u shpreh pas fitores së Kupës së Shqipërisë se suksesi ka qenë i pritshëm, kjo pasi skuadra e tij ishte më e kompletuar dhe me lojtare më cilësore. Gjithashtu, kreu i skuadrës së Jubanit theksoi se kjo kupë u bë realitet falë bashkëpunimit me mikun e tij Agim Cani, kontributit të trajnerëve Kreshnik Krepi dhe Rrok Marku, pa dyshim dhe meritës të të gjitha vajzave. “Jam i lumtur pas kësaj fitoreje, sepse në fakt e prisnim. Nuk e vumë asnjëherë në diskutim fitoren gjatë ndeshjes dhe mendoj se merituam gjithçka. Ndihem i shpërblyer për punën e bërë dhe investimin te kjo skuadër prej vitesh”.
ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"