“Jemi skuadër me potencial”, Vila: Durrësi më sjell fat, Dinamo do të jetë pretendente

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2023 | 9:05

“Jemi skuadër me potencial”, Vila: Durrësi më sjell fat, Dinamo do të jetë pretendente

Të shënosh gol dhe të mos festosh, madje dy herë në një ndeshje. Një ndjenjë lumturie e përzier me keqardhjen ajo kur i shënon jo thjesht ish-skuadrës, por asaj ku je rritur, afirmuar e shpallur kampion.

vila

Në këtë situatë u gjend Lorenco Vila, autor i dy golave për Dinamon në fitoren 1-2 ndaj Teutës. Për respekt nuk festoi në asnjërin nga golat, por si profesionist bëri detyrën, duke i dhënë skuadrës një trepikësh shumë të rëndësishëm në një moment delikat. “Tani ndihem i lumtur vërtet, jo për dy golat më shumë se për fitoren e skuadrës në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Nuk festova në shenjë respekti për skuadrën ku jam rritur dhe për tifozët e saj, të cilët më kanë mbështetur gjithmonë. Në atë stadium kam shënuar shumë herë dhe kam përjetuar shumë momente të bukura. Ndoshta këmbët aty e gjejnë më lehtë golin…”, ka thënë Vila fillimisht për “Panorama Sport”.

TRYSNIA – Lorenco Vila ka shënuar 3 gola për Dinamon deri tani. Para dopietës së djeshme ai kishte realizuar edhe në fitoren 2-1 ndaj Skënderbeut në Elbasan. Sulmuesi durrsak pranon se skuadra kishte jo pak trysni për rezultatin. “Thashë që në fillim që jam më i lumtur për fitoren dhe skuadrën, sepse ishim në trysni për këtë ndeshje. Vinim pas dy humbjesh radhazi në kampionat dhe na duhej patjetër që të fitonim. Më vjen shumë mirë që ia arritëm qëllimit, morëm 3 pikët dhe tani jemi më të çliruar psikologjikisht. Mund të mendojmë dhe përgatitemi më me qetësi dhe me më shumë besim për gjysmën e dytë të kampionatit. Gjithmonë e kemi thënë se Dinamo është skuadër me potencial më shumë se vendi që mban aktualisht në renditje. Kam shumë besim se në vazhdimësi do të jemi më mirë”, ka theksuar më tej Lorenco Vila.

TEUTA – Nuk mund të mungonte edhe një mesazh për ish-skuadrën. “Sigurisht që më vjen keq për situatën që po kalon aktualisht Teuta. Kam kaluar shumë vite dhe kam një lidhje të fortë me të. Jam i bindur se me ndonjë ndërhyrje që mund të bëjë në merkaton e janarit, do ta lërë fundin dhe do të shkojë në vendin që meriton. Ka në skuadër lojtarë me eksperiencë dhe cilësi, të cilët do të dinë ta udhëheqin në pjesën e mbetur të këtij kampionati”, ka përfunduar Vila.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"