“Jemi në kufijtë e mbijetesës dhe rënies, por do ta shpëtojmë sezonin”, Bruka shkund ekipin: Shkarkojini energjitë, marrim pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2022 | 10:42

“Jemi në kufijtë e mbijetesës dhe rënies, por do ta shpëtojmë sezonin”, Bruka shkund ekipin: Shkarkojini energjitë, marrim pikë

Alban Bruka beson te pikët në Burrel, ndonëse e parashikon të vështirë. Fitorja do të ishte një kryevepër, por edhe barazimin e pranon. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri analizon gjendjen e grupit dhe objektivat.

alban bruka

“Luajmë në Burrel këtë javë. Sapo mbyllëm përgatitjet për këtë transfertë delikate dhe jemi gati. I shmanga ngarkesat në seancën e fundit, pasi dua që lojtarët të kursejnë energji.

Pres që në ‘Liri Ballabani’ të shpalosin arsenalin më të mirë, ndonëse do të jetë një 90-minutësh delikat. Kemi pasur vërtet luhatje këtë sezon, por ka ardhur koha që t’ia lëmë gjithçka së shkuarës dhe përqendrohemi tek e ardhmja.

Një gjë është e sigurt, që Besëlidhja e fazës së dytë ka një ‘fytyrë’ krejt ndryshe nga ajo që kemi parë gjatë fazës së parë. Jemi optimistë për mbijetesën. Duke e njohur shumë mirë fushën matjane, po ashtu edhe ekipin, ne gjatë gjithë javës kemi punuar me një program që t’i përshtatemi sa më shumë stilit të kundërshtarit.

Ne e vlerësojmë maksimalisht Burrelin. E meritojnë, për lojën që kanë treguar javë pas jave. Ndaj edhe ne duhet të luftojmë me të gjitha forcat që kemi në dispozicion, për të mos u kthyer pa pikë nga andej. Edhe pse sot ne renditemi në kufijtë e mbijetesës dhe rënies, nëse do të luftojmë seriozisht, ngjitjen e shkallëve të klasifikimit e kemi të sigurt.

Diferenca deri te vendi i katërt nuk është vrastare, ndaj kam shpresë. Pozitiv për ne është fakti se pjesën dërrmuese të futbollistëve i kam në dispozicion.

Drejt Burrelit do të udhëtoj i qetë. Shpresoj se edhe ekipi në arenën matjane do të luajë i qetë duke mirëmenaxhuar situatën deri në sekondën e fundit të sfidës”, përfundoi tekniku i lezhjanëve.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"