“Jemi më të freskët fizikisht, e ndalim Vllazninë”, kapiteni Agiare: Apolonia beson deri në fund për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2021 | 8:47

“Jemi më të freskët fizikisht, e ndalim Vllazninë”, kapiteni Agiare: Apolonia beson deri në fund për mbijetesën

Apolonia luan sërish në “Loni Papuçiu”. Këtë të diel në orën 13:00, fierakët do të presin Vllazninë, në një ballafaqim ku shkodranët duken më të favorizuar për të fituar. Shkëputja e fierakëve në fund të tabelës dhe diferenca e tyre me rivalët më sipër, ka krijuar njëfarë pesimizmi dhe mungesë motivimi tek Apolonia. Megjithatë, bardhejeshilët duan të tregojnë veten dhe nuk kanë ndërmend të lëshojnë ndaj asnjë kundërshtari.

AGIARE APOLONIA

Për ndeshjen e radhës kundër shkodranëve, kapiteni i Apolonisë, Benjamin Agiare, beson se skuadra e tij i ka të gjitha mundësitë për të zhvilluar një lojë pa komplekse, pse jo dhe me rezultat pozitiv. Pas dëmtimit që e la jashtë në ndeshjen me Teutën, kapiteni është rikthyer në skuadër për të formuar treshen e prapavijës, bashkë me Sotën dhe Diopin. Për “Panorama Sport” Agiare e nis nga gjendja aktuale e skuadrës.

“Më vjen keq që ndodhemi në këto pozita, por ky është realiteti, – thotë fillimisht qendërmbrojtësi ganez. – Apolonia nuk është pa cilësi, por ka qenë një kampionat i fortë dhe i vështirë, pa harruar që shpesh nuk na ka ndihmuar fati apo dhe jemi ndëshkuar me pa të drejtë. Megjithatë, është edhe një fazë e tërë për t’u zhvilluar dhe gjithçka mund të ndodhë. Ne do të përpiqemi me të gjitha mundësitë tona deri në fund”.

VLLAZNIA

Kapiteni i Apolonisë ndalet te ndeshja me Vllazninë, duke shpresuar që fierakët të japin më të mirën në fushë. “Vllaznia është një kundërshtar i fortë dhe i vështirë, një ekip që na ka mundur në tri ndeshjet e mëparshme. Është hera e fundit që luajmë kundër tyre, por gjendja e skuadrës sonë është pozitive dhe shpresojmë që të zhvillojmë një lojë të mirë dhe rezultative. Apolonia është më e freskët fizikisht, pasi ata kanë luajtur edhe në mesjavë, por kjo gjë duhet treguar në fushën e lojës. Duhet të tregojmë vlerat tona dhe të mos pajtohemi me vendin e fundit, duke kërkuar fitore në çdo ndeshje”, thekson Benjamin Agiare. Në këtë ndeshje, veç të pezulluarve Mehmeti, Ejoh, Krasniqi dhe Zaimaj, Kamarata nuk do të ketë në dispozicion edhe mbrojtësin shkodran, Serjan Repaj, i cili plotësoi numrin katër të kartonëve të verdhë në ndeshjen me Teutën. Pjesa tjetër është OK.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"