“Jam shumë i kënaqur me ndeshjen që treguam në miqësore”, flet Duro: Ju tregoj të ardhmen e Kristal Abazaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 10:40

“Jam shumë i kënaqur me ndeshjen që treguam në miqësore”, flet Duro: Ju tregoj të ardhmen e Kristal Abazaj

Kukësi barazoi në miqësoren e parë ndaj Malatjasporit. Gjatë këtij takimi nënkampionët e Shqipërisë shfaqën personalitet në fushë dhe treguan një lojë të mirë. Është trajneri i Kukësit Shpëtim Duro, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” skanon ekipin.shpetim duro

60-vjeçari është shumë i kënaqur me lojën e zhvilluar, jo për rezultatin, por për karakterin dhe nivelin e lojës së treguar në fushë. Tekniku vijon më tej ku tregon për ngarkesën ekstreme që për një javë ka bërë skuadra. “Është ndeshja e parë miqësore pas një periudhe të gjatë pushimi, luajtëm kundër një skuadre të fortë të Superligës turke. Kam mendimin, se përtej rezultatit që për mua nuk ka shumë rëndësi, ishte ndeshje e mirë.

Ajo që më pëlqeu gjatë gjithë ndeshjes ishte se skuadra luajti me shumë autoritet. Ishim mirë në zotërimin e lojës, kishim mundësi të shumta si në pjesën e parë, ashtu dhe në pjesën e dytë për ta fituar takimin. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me të gjithë futbollistët që janë aktivizuar si në pjesën e parë, ashtu dhe në pjesën e dytë. Mos harrojmë që ishte një ndeshje që vinim mbas një javë shumë të ngarkuar, pas 7 ditësh ne kishim zhvilluar 14 seanca stërvitore, kemi pasur ngarkesa të jashtëzakonshme ndaj një kundërshtari që nis aktivitetin zyrtar pas vetëm tri ditësh. Në këtë kuadër, skuadra më la përshtypje shumë të mira dhe e përballoi mjaft mirë ndeshjen”, u shpreh Duro.

PËRGATITJET – Kukësi prej një jave ndodhet në Antalia të Turqisë, e gjatë kësaj kohe dhe pse ngarkesa ka qenë shume e madhe, përgatitjet kanë shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Duro është shumë i kënaqur me përgatitjet dhe vlerëson maksimalisht lojtarët, por dhe kushtet. “Përgatitjet po shkojnë jashtëzakonisht mirë. Siç e thashë dhe më sipër, duke ardhur nga një periudhë pushimesh, duhej që ekipi të kapte ritmin dhe kemi bërë një plan pune efikas.dURO

Kemi zhvilluar 14 seanca në një javë, nuk kemi pasur fare pushim, tashmë do ta ulim ngarkesën dhe ritmin, pasi për 10-12 ditë nis kampionati. Kemi kushte jashtëzakonisht të mira, lojtarët janë shumë seriozë dhe profesionistë. Shpresoj shumë që të mos kemi dëmtime”, vazhdoi më tej trajneri.

ABAZAJ – Kristal Abazaj shënoi golin e vetëm të Kukësit, ndërkohë që trajneri Shpëtim Duro e vlerëson sulmuesin e krahut. Mediat belge kanë folur për një lëvizje të mundshme të tij, por është tekniku Duro që ua mbyll dyert ekipeve dhe largon këto zëra. Abazaj ka kontratë 1-vjeçare me Kukësin dhe nuk lëviz. “E kam thënë dhe më parë që Abazaj është një djalë shumë serioz dhe profesionist, bën maksimumin në ndeshje dhe stërvitje. Sa u përket zërave të merkatos nuk ka mundësi që Abazaj të lëvizë, sepse ka kontratë për një vit me ne”, përfundoi trajneri i mirënjohur.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"