Isko ironi me Lopeteguin: Nuk e kam formacionin e sigurt, ndoshta ka lojtarë më të mirë se unë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2018 | 20:43

Isko ironi me Lopeteguin: Nuk e kam formacionin e sigurt, ndoshta ka lojtarë më të mirë se unë

Në Spanjë Iskon e quajnë si “djali” i Lopeteguit, në kuptimin që ai i ka dhënë besim në ekipet e moshave të Spanjës dhe do ta kishte vendin e sigurt në formacion. Por faktet thonë të kundërtën. Për të dytën ndeshje radhazi, mesfushori i Realit qëndroi në stol. Ndaj Bilbaos ai u fut si zëvendësues dhe e shpëtoi ekipin nga humbja. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, Isko bën ironi dhe batutë me trajnerin Lopetegui duke thënë se ndoshta ka lojtarë të tjerë më të mirë sesa ai në skuadër.

Isko

Reali luan mirë, por largohet vetëm me një pikë nga Bilbao. I zhgënjyer?

Bilbao është një fushë e vështirë dhe ata luajnë ashpër ndaj rivalëve duke markuar çdo lojtar. Në pjesën e dytë meritonim diçka më shumë, por morëm 1 pikë. Duhet të përmirësohemi.

Çfarë strategjie kishte përdorur skuadra për ta goditur rivalin?

Duhet të qëndronim të hapur në fushë dhe ta zhvendosnim Atletikon nga krahët dhe të përfitonim nga hapësirat që do të na krijoheshin. Në fund e bëmë këtë gjë, por na mungoi pasimi i fundit.

Çfarë ndryshoi skuadra nga pjesa e parë në të dytën?

E kuptuam shumë vonë sesi po luante Atletiko dhe prandaj nuk patëm kohën e mjaftueshme për të marrë më të mirën në këtë ndeshje. Por rastet i krijuam dhe duhet t’i kishim finalizuar.

Në mesjavë do të rikthehet Liga e Kampionëve. Çfarë objektivi ka Reali në këtë kompeticion?

Ne e kishim vëmendjen te Bilbao, por tani do të nisim të mendojmë për Europën. Champions-i është kompeticioni ynë dhe do të bëjmë të pamundurën. Ne kemi bërë diçka historike në Europë dhe kemi dëshirë që të vazhdojmë kështu. Kemi ekipin e duhur për të shkuar deri në fund, kështu që do të luajmë edhe për këtë trofe.

Në fillim të sezonit u tha se me Lopeteguin, formacioni do të ishte Isko dhe 10 lojtarë të tjerë…

Në ekip nuk jam vetëm unë. Ka lojtarë të tjerë që ndoshta janë më të mirë dhe prandaj është trajneri që zgjedh lojtarët. Ajo që thoni se me Lopeteguin do të jetë Isko dhe 10 të tjerë në fushë nuk është e vërtetë. E keni sajuar ju.

E prisnit që edhe ndaj Bilbaos ta nisnit ndeshjen nga stoli?

Në skuadër ka shumë lojtarë të tjerë, të cilët kanë forcuar konkurrencën. Por sezoni është shumë i gjatë dhe do të ketë kohë për të gjithë.

U sqaruat me Raul Garsian pas përplasjes në fushën e lojës?

Kjo është forma e tij e të luajturit. Luan ashpër dhe “pisët”, por e ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"