Ish-trajneri i Kamzës tregon prapaskenat për shembjen e stadiumit: Po vrasin futbollin e një qyteti, është skenar i Bashkisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2020 | 13:09

Ish-trajneri i Kamzës tregon prapaskenat për shembjen e stadiumit: Po vrasin futbollin e një qyteti, është skenar i Bashkisë

Ish-trajneri i Kamzës, Ergys Luga, aktualisht në Kinë, te Shenzhen U-21, në një intervistë për “Panorama Sport” fton njerëzit e sportit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për ekipin e futbollit që të mos qëndrojnë duarkryq për çështjen e stadiumit. Ai pohon gjithashtu se gjithçka ka të bëjë me një skenar të bashkisë, që nuk investoi aspak për ekipin e këtij sezoni.LUGA

Ergys, si e morët vesh lajmin për shembjen e stadiumit të Kamzës?

Nga interneti, nëpërmjet “Panorama Sport”. Edhe pse jam kaq larg, në Kinë, interesohem vazhdimisht se si shkojnë punët te Kamza.

Si u ndiet kur e lexuat atë lajm?

Më ra si bombë. Më pas, duke menduar atë çfarë ka ndodhur, dal në konkluzionin se ka paska pasur prapaskena e veprime të hershme të bashkisë, që kur mora përsipër ta drejtoja ekipin këtë sezon, pra në shtator të 2019-ës.

Cilat janë këto prapaskena, sipas jush?

E para është se bashkia nuk mori përsipër asnjë investim për skuadrën. Ne patëm vështirësi financiare për të ngritur Kamzën, madje kam investuar vetë në disa ndeshje jashtë për udhëtimin dhe ushqimin e lojtarëve. Mendoj që bashkia e ka pasur në plane për ta shpërbërë skuadrën e për të mos e vazhduar kampionatin.

Ç’do të thotë të shembësh stadiumin për të bërë një parking?

Shembja e stadiumit të Kamzës do të thotë se aty po vrasin futbollin. Bashkia po i fut thikën pas shpine futbollit në Kamzë, pa mëshirë. Rrënimi i futbollit vazhdon dhe pritet të kurorëzohet me prishjen e stadiumit. Në Shqipëri këto punë nuk paskan fund. Ka një prapaskenë të vetme me qëllim përfitues nga disa të pangopur e ordinerë. U bëj thirrje të gjithë njerëzve të sportit në Kamzë, trajnerë, lojtarë e ish-lojtarë që të bëhen bashkë për të protestuar. Kushdo që ka dhënë kontribut për Kamzën, e ka për detyrë të protestojë e të mbrojë stadiumin.

Si është situata e pandemisë në Kinë, ku ju punoni aktualisht?

Kina e kapi shpejt situatën dhe mori masa mjaft të forta e të menjëhershme. Tani çdo gjë pak a shumë më duket normale. Kemi dalë në stërvitje dhe përdorim maska dhe doreza, nuk lëvizim pa ato. Është hequr distancimi dhe para stërvitjes matim temperaturën. Pandemia ka prekur mjaft ekipe, që tashmë kanë falimentuar. Prandaj edhe në Shqipëri duhet shumë kujdes.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"