Ish-trajneri analizon ecurinë e Elbasanit drejt elitës. Lleshanaku: Vazhdimësia e dallon me rivalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2024 | 20:16

Ish-trajneri analizon ecurinë e Elbasanit drejt elitës. Lleshanaku: Vazhdimësia e dallon me rivalët

Në Elbasan shtohen gjithnjë e më shumë zërat se ekipi në fund të këtij edicioni do ta mbyllë si kampion i Kategorisë së parë. I këtij mendimi është edhe ish-trajneri, Shkëlqim Lleshanaku, i cili në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pohon se diferencën me ndjekësit e ka bërë vazhdimësia.

SHKELQIM LLESHANAKU

Edhe pse nuk e sheh një mision shumë të lehtë ruajtjen e këtij pozicioni, duke iu druajtur më shumë skuadrave që luajnë për mbijetesë, Lleshanaku ka besim te profesionalizmi i stafit dhe grupi i ndërtuar. Sipas tij, ndërhyrjet që u bënë në merkaton e janarit e rritën edhe më tej diferencën me ndjekësit.

Lleshanaku, si të është dukur Elbasani këtë sezon? 

Elbasani i këtij viti është shfaqur siç pritej nga të gjithë. Bëhet fjalë për një ekip të kompletuar dhe të mirëorganizuar në çdo drejtim. Pas fazës së parë rregulloi edhe ndonjë mangësi që kishte, duke rritur diferencën me ndjekësit dhe marrë kryesimin e kësaj kategorie.

Prej dy javësh Elbasani ka marrë edhe kryesimin, e prisnit? 

Po patjetër. Me përbërjen që ka, me punën e kryer, korrektësinë e drejtuesve do të vinte kjo ditë. Ishte thjesht çështje kohe marrja e vendit të parë. Jam i bindur që do ta ruajmë deri në fund.

Çfarë ka më shumë skuadra në krahasim me rivalët që është në krye? 

Është shumë e thjeshtë. Për të qenë konkurrues duhet të kesh vazhdimësi, nuk mjafton që të luash mirë në një ndeshje dhe të marrësh pikët, ndërsa më pas të gabosh herë pas here. Elbasani e ka pasur vazhdimësinë dhe rivalët jo. Arsyet më pas secili klub i analizon te vetja.

Sa të vështirë do ta ketë Elbasani që ta ruajë vendin e parë? 

Mendoj se do të jetë e vështirë, sidomos me skuadrat që luftojnë për të mos rënë një kategori më poshtë. Për mua, kampionati në pjesën e sipërme i ka dhënë verdiktet e veta. Vetëm pjesa e poshtme është enigmatike. Këto ekipe do të mundohen të arrijnë objektivin e tyre dhe do përpiqen t’i krijojnë vështirësi Elbasanit, nëse munden dot. Por, siç e thashë edhe më lart, në fund skuadra do ta ruajë këtë pozicion.

Keni një këshillë për ekipin në këto tetë javë të mbetura të kampionatit? 

Jo, nuk kam një këshillë të veçantë. Ekipi arriti deri këtu në saj të një organizimi profesionist, duke dëshmuar supermacinë e tij në çdo aspekt. Mendoj se do të vazhdojnë kështu. Më shumë se sa këshillë kam një dëshirë. Javën e fundit të festojmë si kampionë dhe këtij qyteti t’i rikthejmë lavdinë e dikurshme dhe historikun e madh që ka. Pse jo vitin tjetër në Superiore të marrim pjesë në kupat e Europës dhe të fitojmë një trofe si Kupën apo titullin kampion.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"