Ish-sulmuesi Fjodor Xhafa: Kampionat i dobët, ja si shpëton Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 20:13

Ish-sulmuesi Fjodor Xhafa: Kampionat i dobët, ja si shpëton Flamurtari

Fjodor Xhafa u bën thirrje futbollistëve të Flamurtarit të futen në fushë “të zhveshur” nga problemet financiare. 

Fjodor Xhafaj ne Kamza-Bylis 1-0

Në një intervistë për “Panorama Sport“, ish-futbollisti i njohur vlonjat thotë se me përbërjen që ka dhe me lojën e zhvilluar deri më tani, Flamurtari duhet të kishte më shumë pikë në tabelën e klasifikimit. Nëse në Vlorë gjërat rregullohen sa i përket anës financiare, Xhafa shikon më të rrezikuar për të rënë nga kategoria Luftëtarin dhe Skënderbeun.

Fjodor, si e komentoni situatën aktuale te Flamurtari? 

Është normale, duke parë edhe startin e përgatitjeve të ekipit për kampionatin. Ekipi u grumbullua vetëm javën e fundit dhe lojtarët erdhën shumë vonë. Edhe kur merr lojtarë që janë nga më të kërkuarit, duan kohë të përshtaten, jo më në një situatë që u mblodhën lojtarë në kushte emergjente. Por, në fakt, ecuria e dobët duhet që t’u përkiste ndeshjeve të para më shumë. Më tej ka bindur ekipi, ka bërë lojëra të mira, por në fund të fundit duhet edhe rezultati. Me gjithë nisjen emergjente, me përbërjen që ka dhe me lojërat që ka zhvilluar, Flamurtari duhet të kishte më shumë pikë në klasifikim.

Xhafa Fjodor ne finalen e kupes Laci-Bylis 1-0

Skuadra drejtohet nga Luan Birçe. Çfarë mendoni se ka ndryshuar? 

Pa paragjykuar trajnerin e mëparshëm, ndoshta Birçe ka krijuar një klimë më ndryshe. Nuk është se pati shkopin magjik dhe ndryshoi taktikë. Por, në situata të tilla, ndoshta ndikon shumë edhe ndryshimi i klimës, ndryshimi i trajnerit dhe i psikologjisë. Ndoshta Birçe ka punuar më shumë në aspektin psikologjik.

Mendoni se në këto kushte të vështira, Flamurtari do të ishte më mirë të bazohej te lojtarët vlonjatë të akademisë? 

Këto janë situata të tjera, që nëse do të flasim me patriotizma do të themi me lojtarë vlonjatë. Por, nëse do të flasim nga ana profesionale, këta janë lojtarë që kanë ardhur në një moment të vështirë, kanë sakrifikuar edhe ata shumë nga pjesa e tyre. Nëse ka lojtarë vlonjatë dhe do të jenë në të njëjtat nivele, atëherë jam për lojtarë vlonjatë, por nëse ka diferenca, nuk ka më patriotizma, sepse po flasim për profesionalizëm.

Si mund të shpëtojë skuadra, mendoni se zgjidhja është vetëm financiare apo ka edhe diçka tjetër? 

Normal, edhe pjesa financiare është shumë e rëndësishme. Kur flasim për profesion, është pjesë e rëndësishme e profesionit. Por, ne kemi shembull edhe nga viti i kaluar, pati probleme financiare, por kjo nuk ndikoi në fushën e lojës. Mendoj se lojtarët që janë, përderisa kanë pranuar të jenë pjesë e Flamurtarit, kur të futen në fushë, duhet ta harrojnë anën financiare apo çdo problem tjetër dhe të japin më të mirën. Nuk duhet të ndikojë në fushë aspekti financiar.

Nëse rregullohen gjërat, cilat janë ekipet që mund të lërë pas Flamurtari, pasi në kushte të tilla duhen lënë dy klube, sepse edhe vendi i tetë të çon në “play-out”? 

Në përgjithësi këtë vit është kampionat i dobët. Nuk është se është nivel i lartë i kampionatit. Luftëtarin nuk e kam parë shumë kompetitiv. Po ashtu edhe Skënderbeun, që pavarësisht rezultateve që janë, pikët që ka marrë e kanë ngritur shumë, i kanë rregulluar edhe moralin, por nga ndeshjet që kam parë në Vlorë, nuk më ngrohu me lojën dhe nuk më la shije të mirë. Është kampionat i gjatë dhe varet edhe nga përforcimet që do të bëjë secili ekip. Është shpejt të flasim, sepse kemi para merkaton dimërore dhe mund të ndryshojë çdo gjë për secilin ekip.

Kush mendoni se është favorit për titullin? 

Pak a shumë është ajo që thashë për pjesën e të rrezikuarve. E njëjta situatë është edhe në luftën për titull. Nuk është rivalitet shumë i fortë. Nuk është një skuadër që të bind, të ketë “stofin” dhe të ketë ecuri pozitive. Janë të gjitha që po bëjnë gabime dhe nuk kanë ecuri të njëjtë. Me sa po shoh, nuk ka ekip që të bëjë diferencën, por është kujt t’i ecë nga ato ekipe që kanë bërë më shumë shpenzime, që kanë forcë si klub më shumë sesa si skuadër.

Ky brez që drejtoni te Flamurtari U-19, do të ketë talente si dikur, pasi po dalin pak lojtarë nga akademia? 

Ju thoni se dalin pak lojtarë, por momentalisht tek ekipi i parë po luajnë dy lojtarë që e kanë moshën të luajnë tek ekipi i të rinjve. Por, ka edhe lojtarë të tjerë aktualisht në të njëjtën situatë te grupi që unë trajnoj. Nuk varet shumë kush është talent apo kush ka cilësi më të mira. E rëndësishmja te grupi që drejtoj është se ka lojtarë që kanë karakter, janë kërkues në punë dhe në drejtim të stërvitjes. Kjo është pjesa më e rëndësishme. Mund të them se kemi dy-tre elementë tek U-19, të mos them më shumë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"