Ish-portieri Rizvani kthehet në pikën e nisjes: Te Teuta për të fituar trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2018 | 20:33

Ish-portieri Rizvani kthehet në pikën e nisjes: Te Teuta për të fituar trofe

Bledian Rizvani rikthehet aty ku hodhi hapat e parë në karrierën e tij si fëmijë dhe më pas si profesionist. Ish-portieri i njohur i bregdetarëve tani vjen me një mision më të vështirë, të mësojë të rinjtë dhe t’u tregojë “sekretet” e profesionit portierëve të Teutës me synimin për t’i bërë më të mirët. 32-vjeçari në një intervistë për “Panorama Sport” tregon arsyet pse vendosi t’i bashkohet projektit të Bledi Shkëmbit dhe të hiqte dorë nga futbolli i luajtur në një moshë relativisht të re për portierët.

Rizvani

Sërish pjesë e Teutës, por me një pozicion të ri. Çfarë do të thotë të rikthehesh aty ku hodhët hapat e parë?

Është një kënaqësi e madhe ta nis karrierën aty ku e lash, por tani me një pozicion të ri. Përgjegjësia është dyfish më e madhe, por kam shumë besim se do t’ia dal me sukses. Kur isha futbollist, mbaja përgjegjësi vetëm për veten, tani kam në patronazh portierët, rezultatet, por më pëlqejnë sfidat.

Si u bindët t’i bashkoheshit projektit të trajnerit Shkëmbi?

Është një staf i ri dhe me një vizion të qartë. Kemi shumë ambicie dhe shpresojmë të ecim lart. Më bindi mënyra profesionale sesi ai kërkon të punohet. Ka një eksperiencë të madhe si lojtar duke dalë 6 herë radhazi kampion, por edhe si trajner e ka nisur mirë. Ka një mënyrë shumë ndryshe të përgatitjes, me njerëz shumë të kualifikuar, nga përgatitësi atletikë te zv.trajneri.

Mendoni se do t’ju ndihmojë fakti që e njihni mjaft mirë ambientin?

Patjetër që do të ndikojë, unë jam i familjes dhe ajo që kam kaluar do të më ndihmoj shumë. Kam qenë kapiteni dhe një pjesë të lojtarëve vazhdojnë të jenë, ndaj kjo do të më shërbejë besoj.

Sa keni arritur të mësoni prej trajnerëve me të cilët keni punuar në të shkuarën?

Kam mësuar prej tyre dhe dua të falënderoj trajnerët e portierëve të Teutës në vite, si Shtamën dhe Kapllanin për punën e mirë që kanë bërë me ne. Kanë pasur një ndikim të madh tek unë dhe u jam mirënjohës.

Po tani e keni një idhull në fushën e trajningut?

Çfarë do të thotë për ju të mësosh ata që ke pasur kundërshtarë? Më pret një rrugë e gjatë përpara. Kur isha i ri 14-15 vjeç, idhull kisha Orges Shehin, i cili luante te Teuta. E kam ndjekur gjithmonë atë. U mundova të ndjek rrugën e tij, ai ishte shembull im. Tani shembulli im është Ilir Bozhiqi. Do të mundohem të eci në hapat e tij, e kam me shumë pasion këtë punë dhe shpresoj të arrij atë që ka bërë ai. Nuk ka nevojë të flas shumë për profesorin, pasi puna e tij flet vetë. Nuk besoj do të jetë e vështirë eksperienca si trajner, pasi i njoh mirë cilësitë, si të Moçkës, ashtu edhe të Kastratit.

Cilat do të jenë objektivat e Teutës në sezonin e ri?

Është një projekt ambicioz, nuk shkojmë për të fituar trofeun, por të hedhim baza të fuqishme për të ndërtuar një ekip kompetitiv. Në këtë mënyrë suksesi është i garantuar. Tani primare kemi të bëjmë një merkato cilësore, më pas fazën përgatitore dhe do të vendosim për objektivin, por kemi një projekt serioz dhe të gjithë jemi të etur për sukses.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"