Ish-lojtari dhe legjenda e Flamurtarit vlerëson ekipin aktual, Vasil Ruci: Në Vlorë do të kthehet Barcelona e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 13:34

Ish-lojtari dhe legjenda e Flamurtarit vlerëson ekipin aktual, Vasil Ruci: Në Vlorë do të kthehet Barcelona e madhe

Vasil Ruci e vlerëson pozitive ecurinë e Flamurtarit. Për “Panorama Sport”, legjenda vlonjate e futbollit mendon se kuqezinjtë do ta kapin elitën. Sipas Rucit, Flamurtari i mungon Superiores prej një kohe të gjatë. “Flamurtari në këto ndeshje të fundit ka një ecuri pozitive.

vasil ruci

Shoh një skuadër të mirë. Më bëhet qejfi për këtë skuadër dhe shpresoj që të vijojë me këto rezultate pozitive për të arritur sa më shpejt objektivin. U bë një kohë e gjatë që Flamurtari nuk është në Superiore dhe i mungon elitës. Duhet që të rikthehet sa më shpejt. Mendoj se do të luftojnë fortë për të arritur objektivin. Patjetër që tashmë besoj se mbetet ‘play off’-i rruga më e mundshme për t’u ngjitur. Nuk do të jetë e lehtë, por unë kam besim. Flamurtarit i uroj shumë suksese”, tha në fillim Ruci. Ai foli edhe për kundërshtarët e kuqezinjve në Kategorinë e Parë gjatë kampionatit.

“Ky është një kampionat me rivalitet të fortë dhe një garë e vështirë për të gjitha skuadrat. Secila ka objektivat dhe pritshmëritë e veta. Elbasani ka investuar shumë në merkato siç kam parë. Edhe Bylisi po ashtu. Unë e thashë edhe në një intervistë të dhënë më parë për gazetën që edhe Vorën e shoh si rivale. Në fakt është e tillë. Është rivale me Flamurtarin dhe momentalisht në vendin e tretë, por me pikë të barabarta me skuadrën tonë. Kam besim se Flamurtari do të bëj më të mirën”, shprehet Ruci.

RETROSPEKTIVË

Vasil Ruci nuk ka se si të mos kthehet pas në kohë. Ai kujton kohët e arta të Flamurtarit të madh, duke u bërë pak nostalgjik për një ekip që ka lënë shenjë në futbollin shqiptar. “Flamurtari ka pasur emra të mëdhenj. Mua pasimin ma dha Latif Gjondeda. Latua kur vete në Korçë, thotë ta dhashë si sheqerkë dhe kur vete në Lushnjë, ta dhashë si domate. Për ta ndërtuar atë ekip kontribuuan që nga Mexhit Haxhiu, Bejkush Birçe, Skënder Ibrahimi dhe Skënder Elmazi.

Më pas Agron Sulaj, Leonidha Çurri. Një meritë të veçantë ama ka edhe Edmond Liçaj, që në vitin 1991 na dha një titull kampion në Vlorë. Përveç këtyre janë edhe brezi i më të mëdhenjve, që ndikuan te ne. Ndikuan me mënyrën se si na imponuan, se si na konkurruan. Hapën rrugë në fund që të futej brezi i ri dhe të krijohej ky ekip. Nuk themi vetëm vitet ‘80-‘90. Ky ekip është sukses i këtij Flamurtari. Përfundimisht meritë kanë të gjithë ata që kanë kontribuar. Janë brenda suksesit të viteve ‘80-‘90 dhe nuk kanë përjashtim”, deklaron legjenda vlonjate.

RUCI KUNDER BARCES

BARCELONA NË VLORË

Vasil Ruci zbulon se brenda këtij viti Barcelona e viteve ‘80, ‘87 dhe ‘88, do të jenë në Vlorë ku do të ndeshet me veteranët e Flamurtarit, duke sjellë emocionet e dikurshme. Një ndeshje që do të përsëritet në kohë. “Më ka ardhur në celular një përgjigje nga Barcelona. Tratativa për të ardhur Barcelona në Vlorë është drejt përfundimit.

Do të jetë një kombinim me Barcelonën e viteve ‘80-të, ‘87-të dhe 88-të. Kjo skuadër do të ndeshet me veteranët e Flamurtarit. I vetmi ekip që mblidhemi jemi ne. Jemi të vetmit. Të tjerët edhe sikur ta bëjnë futbollin copa-copa dhe ta privatizojnë nuk bëhen si ne”, përfundon Vasil Ruci. Ky i fundit, ishte lideri i Flamurtarit të viteve ’80-të.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"