Ish-kapiteni analizon situatën e beratasve, Çilingiri: Shansi i fundit, Tomori e ka “jetë a vdekje” kundër Luzit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 20:09

Ish-kapiteni analizon situatën e beratasve, Çilingiri: Shansi i fundit, Tomori e ka “jetë a vdekje” kundër Luzit

Tomori ka lënë pas zhgënjimin e humbjes në transfertën e Peshkopisë. Beratasit ishin shumë pranë barazimit, por pika u iku nga duart në kohën shtesë. Tani nuk ka kohë për të humbur, ndaj ekipi nuk duhet të mbetet peng i shokut psikologjik të kësaj disfate.

CILINGIRI

Ndeshja e kësaj jave ndaj Luzi 2008 në shtëpi po konsiderohet si mundësia e fundit që Tomori ka për mbijetesën. Nëse beratasit nuk shkurtojnë diferencën e pikëve dhe jo vetëm me kundërshtarin e kësaj radhe, por edhe me Besën, rrezikojnë rënien direkte në Kategorinë e Dytë. Kështu që ndeshja e kësaj jave po konsiderohet gati “jetike” nga ana e beratasve, të cilëve u rikthehet në formacionin bazë mesfushori me eksperiencë Erald Hyseni. Për arsye të plotësimit të numrit të kartonëve, Tomori do të jetë i privuar nga mesfushori Sali Kumani.

Specialisti i njohur i futbollit beratas, “Mjeshtri i Sportit”, Petrit Çilingiri në lidhje me situatën e Tomorit për “Panorama Sport”, u shpreh: “Humbja me përmbysje ndaj Korabit, tregon qartë dobësitë e Tomorit, që nuk diti të administrojë avantazhin në një stadium të boshatisur. Kjo humbje ka marrë trajtën e një plage të rëndë, kurimi i së cilës kërkon një kohë më të shpejtë për t’u kaluar, brenda kësaj jave. Nisur nga rrethanat e krijuara në renditje, fitorja ndaj Luzit është ‘jetë a vdekje’ për Tomorin. Skuadra duhet përgatitur gjatë gjithë javës me këtë lloj mendësie.

E konsideroj si mjaft të rëndësishme, që me futbollistët duhet punuar më shumë në aspektin psikologjik. Duhet përgatitur vetëm për fitore, sepse vetëm kështu do të mbahen të ndezura shpresat. Në të kundërt, çdo rezultat tjetër që do të thellonte diferencën me Luzin dhe do të ishte një kapitullim. Përballë Luzit duhet përgatitur dhe luajtur, jo si skuadra që mbyll renditjen, por si Tomori me histori 100-vjeçare. Emri dhe tradita bëjnë diferencën në ndeshje të tilla”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"