Ish-futbollisti Paçrami: Vllaznisë i duhet një “baba” dhe merkato me plan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2018 | 16:57

Ish-futbollisti Paçrami: Vllaznisë i duhet një “baba” dhe merkato me plan

Fatmir Paçrami është ndier më shumë se keq për rënien e Vllaznisë. Ish-futbollisti i kuqebluve në vitet ’70-’80 mendon që zgjidhja e vetme për të rikthyer këtë ekip është privatizimi. Në një intervistë të dhënë për gazetën, ish-sulmuesi mendon që klubit i duhet 2-3 vite për t’u ringritur, por ndërkohë duhen ndryshime radikale në organikë dhe një merkato e mirëmenduar.

Fatmir-Paçrami

Si e keni përjetuar rënien e Vllaznisë nga kategoria?

Më keq nuk ka ku të shkojë. Jemi bërë të fortë gjithsesi, jemi bërë pak burra që të mos qajmë.

Çfarë duhet që të bëhet tani me Vllazninë?

Me Vllazninë duhet që të fillohet nga A-ja. Duhet të organizohet puna për së mbari dhe të ecet me një projekt konkret. Nëse Vllaznia nuk ka një plan afatgjatë, nuk do të ecë. Nuk mund të harxhohen më para kot me afrime pa kriter, ka ardhur koha që grupi të përforcohet me lojtarë.

Po me lojtarët e rinj si duhet të veprohet?

Ka akademia lojtarë boll. Sigurisht që nuk mund të jenë ata që do të mbajnë barrën se do ta jetë e pamundur. “Trimi i mirë me shokë shumë”, kot nuk thonë. Ata janë të talentuar, por duhet që të kenë në krahë edhe të tjerët për t’u mbështetur.

Si duhet të veprojë klubi me futbollistët e këtij sezoni?

Kjo ndoshta s’më përket mua, por drejtuesve. Ne kemi një shprehje popullore, “gomarin e nxjerr i zoti prej balte”. Prandaj, u takon atyre që të vendosin për një gjë të tillë.

Për sa vite mund të kthehet një Vllazni aty ku duhet?

Për dy apo tri vjet. Por që të kthehet, fillimisht duhet të gjejmë një “baba” për klubin. Duhet që të jetë një person në krye, i cili ta drejtojë. “Pa nënë mbetesh jetim, pa baba fukara”. Prandaj kalimi te privati duhet që të ndodhë sa më parë.

A.Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"