Ish-ekipi drejt rënies nga kategoria, përlotet futbollisti i Kombëtares: Është një situatë që më vret shpirtërisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2019 | 15:35

Ish-ekipi drejt rënies nga kategoria, përlotet futbollisti i Kombëtares: Është një situatë që më vret shpirtërisht

Tomori është me një këmbë në Kategorinë e Dytë, pas barazimit që mori të shtunën ndaj Elbasanit në Berat. Skuadrës i duhet vetëm fitorja në takimin që do të luajë të shtunën në Cërrik ndaj Turbinës, pasi çdo rezultat tjetër e dërgon automatikisht në Kategorinë e Dytë. Të gjithë në Berat janë shumë të shqetësuar në lidhje me fatin e skuadrës. Kujtojmë se Tomori është një prej klubeve që ka bërë histori në futbollin shqiptar.

myrto uzuni

Edhe lojtari i Kombëtares, Myrto Uzuni, i cili është nga Berati, ndien keqardhje për momentin shumë të vështirë që po kalon skuadra e vendlindjes. Në një prononcim ekskluziv për gazetën “Panorama Sport”, lojtari kuqezi që po shkëlqen në radhët e Lokomotivës së Zagrebit, shprehet se do të bënte gjithçka që ishskuadra e tij dhe aktualisht ekipi i vendlindjes të mos zbriste në një kategori më poshtë. Uzuni flet i trishtuar deri në përlotje në lidhje me pozitat që ndodhet Tomori, duke inkurajuar lojtarët, në mënyrë që të mos dorëzohen përderisa matematika ua jep një shans të tillë.

myrto uzuni

UZUNI – “Është për të ardhur keq dhe e papranueshme që Tomori të rrezikojë kaq seriozisht për të zbritur në Kategorinë e Dytë. Kjo situatë më vret shpirtërisht. Nëse do të ishte e mundur, do të bëja gjithçka që ky klub me tradita të mos zbriste në futbollin amator, pasi do të jetë një humbje e madhe për futbollin në Shqipëri.

Uzuni Berat

Është normale që skuadra në këto momente rëndohet nga ana psikologjike, por të gjithë duhet t’i mbështesim lojtarët dhe t’u bëjmë thirrje që të mos dorëzohen përderisa matematika ua lejon që të mbijetojnë. Lojtarët duhet të japim gjithçka në këtë ndeshje, pasi kanë veshur një fanellë që peshon jashtëzakonisht dhe gjithkush do të hidhërohej nëse fundi do të ishte dramatik. Shumicën e ekipit e njoh mjaft mirë dhe personalisht do t’i kërkoja që të bashkohen të gjithë për një dhe një për të gjithë. Kjo ndeshje duhet të jetë si një finale për jetë a vdekje për ta.

myrto uzuni

Tomori nuk është klub si gjithë të tjerët. Klasifikohet në rangun e Partizanit, Tiranës, Vllaznisë, Dinamos etj. Nuk e meriton kurrsesi që të zbresë në Kategorinë e Dytë”, u shpreh Myrto Uzuni në prononcimin e tij për gazetën. Sulmuesi është nga Uznova e Beratit, ndërsa e ka nisur karrierën te Tomori, për të vazhduar më pas tek Apolonia dhe Laçi.

Në verën e kaluar, ai bëri transferimin e rëndësishëm duke kaluar te Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci ku po shkëlqen me paraqitjen e tij. Gjithashtu, është pjesë e Kombëtares shqiptare ku ka luajtur në disa takime me fanellën kuqezi dhe ka bërë paraqitje të mira. Tashmë, është shumë i shqetësuar për fatin e ish-ekipit.

ERIS SYLYKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"