Ish-drejtori Vangjel Laluci: Flamurtari i treti jo me këmbët e veta, duhet shpejtësi manovre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 14:50

Ish-drejtori Vangjel Laluci: Flamurtari i treti jo me këmbët e veta, duhet shpejtësi manovre

Vangjel Laluci mendon se rastet që Flamurtari krijoi në ndeshjen me Lushnjën ishin të pakta dhe kjo gjë nuk justifikohet. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-drejtori i klubit thotë se sytë tashmë duhet të hidhen nga “play off”-i, por nëse do të luajnë si me Lushnjën do ta kenë shumë të vështirë.

vangjel laluci

Laluci thotë se në vendin e tretë skuadra nuk shkoi me “këmbët e veta”, por përfitoi nga gabimi i Vorës.

Laluci, Flamurtari barazoi me Lushnjën, si e shikoni këtë rezultat?

Flamurtari edhe në Vlorë ka bërë ndeshje shumë të mira. Sfida e fazës së dytë me Burrelin që fituam 4-2 në Vlorë ishte një nga përballjet më të bukura. Me Korabin ishte një lojë e mirë. Përjashto ndeshjen e dytë me Burrelin, flasim kur ka filluar faza e tretë. Megjithatë me Lushnjën ne mundet të ishim ndëshkuar përsëri. Kjo jo për të vlerësuar punën e ekipit, pasi skuadra kërkoi dhe arriti të krijonte epërsi territoriale, kjo edhe për meritë të ekipit të Lushnjës. Kishin një vendosje shumë të mirë, falë edhe trajnerit Gugash Maganin. Mbrojtja e tyre u mundua që t’i mbyllte të gjitha hapësirat me fleksibilitet sipas rastit. Ja arritën qëllimit duke i mbyllur të gjitha zonat.

Çfarë nuk shkoi në këtë ndeshje?

Skuadra krijoi disa raste, por ishin të pakta dhe kjo nuk na justifikon. Sidomos në fushën tonë, por edhe jashtë, Flamurtari duhet të luajë duke iu mbledhur ekipeve prapa. Duhet të gjejë mënyrën e duhur për të penetruar dhe për të shënuar.

Çfarë duhet të bëjë ky Flamurtar?

Përgatitja e lartë fizike është e para. Ajo që unë them është shpejtësia e manovrës. Nëse ne do të kishim luajtur pak më shpejt në 20, 15 apo 10 metrat e fundit, Flamurtari do ta kishte realizuar qëllimin. Unë them se ekipi ishte pak i ngadaltë.

Flamurtari është në vendin e tretë. Si e përktheni këtë gjë?

Nuk shkuan në vend të tretë, por na çoi Vora aty. Nuk shkuam me “këmbët tona”. Patjetër që është gjë pozitive, por do të dëshiroja që në vendin e tretë të shkonim me tri pikët që duhet të merrnim nga Lushnja. Nuk e justifikon kjo vajtjen në vend të tretë. Humbja e Vorës na erdhi rastësisht në favorin tonë. Edhe të qëndronim në vendin e katërt, nga pikëpamja e pikëve nuk do të kishim ndonjë ndryshim. Flamurtari është në “play off”.

Mendoni se ndeshjet e mbetura duhet të jenë si finale?

Në këtë fazë duhet vetëm fitorja për mentalitet e për moral. Ekipi duhet të mbajë filozofinë e fitimtarit. Për “play off”-in duhet që të fillojmë përgatitjet që tani, por jo kështu.

Si i shikoni ndeshjet e “play off”-it?

Flamurtari nuk mund të shkojë në “play off”, kur nuk fiton një ndeshje në Vlorë. Nuk fitojnë një ndeshje me Burrelin në shtëpi. Atëherë çfarë mund të pretendojmë ne? Duhet të përmirësohemi. Kur njohim gabimet, dimë edhe të marrim masa. Qëllimi është të ngjiten në Superiore.

Mendoni se në Superiore nuk mund të shkohet nga dy vendet e para?

Vetëm nëse krijojmë iluzione të kota…Është iluzion, pavarësisht se matematika e mban Flamurtarin në lojë. Duhet të themi të vërtetën, pasi të shëron. Në stërvitje duhet të marren masa, sepse dy vendet e para nuk i kapin. Ekipi të përgatitet për “play off”-in.

Si do të jetë përballja me ekipin e Superiores?

Marrim një hipotezë. Nëse Flamurtari ndeshet me Teutën, është një rival shumë i fortë. Ndaj unë mendoj se në “play-off”, ekipi duhet të jetë me këmbë në tokë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"