“Interi superior”, Karlos Tevez: Kthehem si trajner në Seria A te…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 19:23

“Interi superior”, Karlos Tevez: Kthehem si trajner në Seria A te…

Apashi” Karlos Tevez ka mbetur njësoj siç e kujtojmë në fushën e lojës, konkret, cinik dhe direkt. I tillë ishte kur luante në fushë, por gjithashtu edhe tani që bën trajnerin. Ai drejton Indipendenten e Avejanedës, në Argjentinë, me të cilën po arrin rezultate fantastike falë dhe pas të cilave ka një ëndërr për të realizuar, atë të rikthimit në Itali si trajner dhe gjejeni se ku… “Italia është një vend që më ka mbetur në zemër dhe dua të kthehem aty një ditë”.Ndërkohë, të shtunën do të jetë edhe derbi i Torinos, një sfidë që Tevez e njeh shumë mirë, pasi ka luajtur 4 të tillë dhe ka vendosur një i vetëm, saktësisht më 23 shkurt 2014, me Antonio Konten si trajner.

carlos-tevez-1401274509-145

Karlitos, le ta nisim nga fundi… Si po shkon eksperienca si trajner dhe çfarë trajneri është Tevezi?

Pasional, njëri që vë shpirtin çdo ditë në stërvitje. Ne luajmë një futboll shumë dinamik, presing lart dhe i kushtojmë shumë kujdes fazës ofensive. Me futbollistët e mi jam një çekiç i vërtetë dhe kjo sepse kam pasur maestro të mëdhenj që ma kanë mësuar këtë…

Për shembull?

Frymëzimi im është Antonio Konte, për pasionin dhe për fiksimin e tij për të arritur te fitorja. Një njeri që jetonte 24 orë në 24 dhe gjatë të gjithë sezonit vetëm me pasionin për të arritur fitoren. Nga Marselo Bielsa ndërkohë kam marrë vëmendjen për t’u kujdesur për detajet e vogla, pasi sipas tij edhe një pasim i lëshuar me një shpejtësi më të ulët apo më të lartë mund të bënte diferencën. Ndërsa nga Sër Aleks Fergusoni kam ruajtur qetësinë për të menaxhuar grupin e lojtarëve, pavarësisht momenteve dhe mbi të gjitha për të shijuar festën e çdo goli, por pa u ekzaltuar më shumë seç duhet. Gjithsesi, të tjerë trajnerë të zotë që kam pasur janë edhe Roberto Mançini te Mançester Siti apo edhe Masimiliano Alegri te Juventusi, ndonëse mes të gjithëve do të zgjedh pa dyshimin më të vogël, vetëm Antonio Konten.

Keni një kujtim të veçantë që ju lidh me Konten?

Njëri që fotografon në perfeksion personazhin në fjalë… Luftonim për titullin me Romën dhe unë isha në Argjentinë për një problem familjar, ndaj nuk mund të stërvitesha. Do të luanim me Romën në fundjavë. Në fillim më tha që të qëndroj i qetë, ndërsa 3 ditë më pas më tha të kthehesha nga Argjentina menjëherë pasi duhet të fitonim me çdo kusht dhe me donte në fushë edhe pa stërvitje. Për atë njeri ekzistonte vetëm ideja për fitoren.

Ndërkohë çfarë kujton nga Alegri?

Maks është ndryshe, më i qetë. Kjo nuk do të thotë se ai nuk është fitues apo se nuk e ka këtë mentalitet. Mjafton të shohësh sesi ringrihet nga çdo moment i vështirë që kalon. Dhe kjo vetëm falë menaxhimit dhe empatisë që arrin të krijojë me grupin e lojtarëve. Është më i qetë në situatat e vështira, por i gjithë grupi i lojtarëve është me të në dhomat e zhveshjes. Nuk di të bëjë armiq.

Meriton konfirmimin sipas jush?

Juventusi aktualisht është i treti dhe nuk mendoj se ka cilësitë për të bërë më shumë se kaq. Ne jemi mësuar që të shohim një Juve fituese, prandaj na habit ky fakt që prej tri vitesh nuk arrin që të jetë në luftë për titullin. Personalisht e ndjek shumë Serinë A dhe mendoj që Interi është shumë superior kundrejt gjithë të tjerave. Madje, diferenca me Juven është shumë e madhe sivjet. Alegri, unë di të them se është ai trajner që di të nxjerrë nga çdo lojtar më të mirën e tij dhe me mua kështu ka qenë. Pastaj, nëse do të konfirmohet apo jo, kjo varet se çfarë do t’i kërkojë klubi për vazhdimësinë.

Të shtunën luhet derbi i Torinos, çfarë ju kalon në mendje?

Nga kjo pikëpamje Italia i afrohet shumë Argjentinas. Kujtoj një pasion për atë ndeshje, e cila ndizej që në fillim të javës. Unë kam bërë gjithmonë shumë mirë në atë derbi, mbaj mend gola dhe asiste të mitë.

Do ju pëlqente të riktheheshit në Itali?

Italia është në zemrën time. Do të më pëlqente shumë, tani si trajner. Seria A është një nga kampionatet më të mirë në botë dhe mendoj se duhet të rritem ende shumë për ta merituar një aventurë aty.

Shihni në Serinë A një “Tevez të ri”?

Nuk ekziston (qesh)… Nuk gjej asnjë që më ngjason dhe nuk po flas për aspektin teknik, por për atë të shpirtit të sakrificës, për faktin që vija gjithmonë zemrën në fushë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"