Interi “blindon” Inzagin, firma vjen me festën, ja sa sezone rinovon trajneri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 10:37

Interi “blindon” Inzagin, firma vjen me festën, ja sa sezone rinovon trajneri

Rinovimi i parë ndodhi në qershorin e vitit 2022. Edhe pse të zhgënjyer nga titulli i munguar, por deri diku të kënaqur me kupat e fituara zikaltrit i dhuruan një tjetër shans trajnerit Inzagi. Rinovimi i dytë daton në shtatorin e vitit 2023, kur populli zikaltër ishte krenar për finalen e Ligës së Kampionëve. Pikërisht kjo finale bëri të harrohej një kampionat i dështuar, por një Kupë dhe një Superkupë e bënë më të lehtë dështimin në Serinë A.

inzagi

Kapitulli i tretë i kësaj sage do të “shkruhet” vetëm kur Interi të ketë siguruar titullin kampion dhe trajneri të ketë blinduar yllin e dytë në fanellën e Interit. Drejtuesit nuk kanë asnjë arsye për t’u nxituar dhe duan që ta menaxhojnë mirë këtë situatë. Inzagi e ka fituar rinovimin në fushën e lojës. E përkthyer: Një kontratë e re, më e gjatë sesa të mëparshmet. Këtë herë kalendari luan në favorin e të gjithëve sepse ka shumë kohë në dispozicion të palëve deri më 19 maj kur do të luhet Inter-Lacio dhe Lautaro Martinez mund të ketë në duar kupën e shumëpritur.

DY PLUS NJË- Ai që vlen është fakti që Interi nuk ka ndërmend që të privohet nga personi që ka drejtuar skuadrën drejt këtij titulli të veçantë, special për vlerën dhe tërheqës për mënyrën si po vjen. Trajneri Simone Inzagi ka dominuar konkurrencën me një identitet të qartë në fushën e lojës. Ylli i dytë tani po shihet më afër dhe është fryt i punës së bërë prej vitesh. Mbyllja në mënyrë të ëmbël e këtij 3-vjeçari dhe rifillimi i 3-vjeçarit të dytë. Në horizont kontrata e tij do të skadojë së bashku me drejtuesit Auzilio dhe Marota, i cili e ka thënë disa herë që nuk do të shkojë përtej këtij viti. Dhe pikërisht dyshja Marota-Auzilio është ajo që ka hedhur bazat e së ardhmes. Trajneri i Interit nuk e nis kurrë sezonin me kontratën që i skadon në fund të vitit. Është një zgjidhje për të larguar presionin dhe për t’i dhënë qetësi atij për të kaluar siç duhet dredhitë dhe krizat që e përfshijnë skuadrën.

Kontrata e Inzagit do të skadonte në vitin 2025 dhe zgjatja mund të bëhej me një vit, por klubi dëshiron ta blindojë. Këtë herë është ndryshe, sepse është një firmë që shoqërohet me titullin kampion, kampionatin që të gjithë e kërkonin me ngulm. Inzagi është duke e fituar me bindje të plotë dhe me rekorde që nuk ishin parë shpesh në ato anë. Sigurisht që në kontratën e re do të ketë një rrogë më të lartë nga ajo 5,5 milionë që përfiton. Mund të shkojë deri në 6,5 milionë euro.

REKORDET- Klubi dhe trajneri kanë pasur gjithmonë një raport të shkëlqyer me njëri-tjetrin, edhe në sezonin e kaluar kur vendi i tij i lëkund. Ai nuk e humbi toruan, por madje gjeti rrugën e duhur për t’ia dalë. Në rast se Inzagi do të qëndrojë deri në fundin e vitit 2027 atëherë do të thotë se do të ishte për 6 sezone trajner i Interit. Do të parakalonte Berselinin dhe Trapatonin që qëndruan 5 sezone. Vetëm Herrera ka qëndruar në 8 sezone. Me titullin kampion do të shkonte në 6 trofe si trajner i Interit pas 2 kupave dhe 3 Superkupave. Sigurisht që të gjithë do të donin të shkonin më larg në Champions, por Inzagi dhe Interi i tij do të kenë shansin që të riprovojnë sërish në 3 sezonet e ardhshme, kur ai të vazhdojë të jetë timonieri i zikaltërve.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"