Ikën Çoçlli, zyrtarizohet Novi: Luftëtarit i rikthejmë dinjitetin, askush s’mund të përdhosë këtë fanellë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2020 | 13:58

Ikën Çoçlli, zyrtarizohet Novi: Luftëtarit i rikthejmë dinjitetin, askush s’mund të përdhosë këtë fanellë

Nikolin Çoçlli nuk është më trajneri i Luftëtarit. Rezultatet e dobëta kanë bërë që tiranasi të japë dorëheqjen nga stoli i bluzinjve. Është vetë ai që e bën të ditur këtë vendim për “Panorama Sport”, i cili ka totalisht lidhje me ecurinë negative. “Nga sot (dje) jap dorëheqjen si trajner i Luftëtarit. Kjo si pasojë e ecurisë jo të mirë të ekipit. Në këto kushte, mendova të dorëhiqem”, është shprehur shkurtimisht Çoçlli, i cili e mori ekipin më 3 janar dhe që prej asaj kohe skuadra nuk arriti asnjë fitore me gjirokastritët.

novi

NOVI – Drejtuesit e Luftëtarit nuk kanë humbur kohë, por ia kanë besuar menjëherë “timonin” Neritan Novit. Ish-kapiteni prej kohësh mbante rolin e zv.trajnerit, ndërsa nga dje merr zyrtarisht stolin. Ai është prezantuar në orën 15:30 para se të niste stërvitja prej zyrtarit të klubit, Vangjel Çavo. Në krahë të tij konfirmohet Arbër Bistri si zv.trajner dhe Dritan Kristidhi si përgatitës portierësh. Para se niste seanca, trajneri i ri mësohet se u është drejtuar atyre me një fjali të vetme: “Ne e njohim njëri-tjetrin mirë dhe do punojmë fort bashkë për të arritur sa më shumë rezultate pozitive. Unë kam besim te ju”. Pas përgatitjeve që zgjatën më shumë se 90 minuta, Neritan Novi foli edhe për “Panorama Sport”.

luftetariii

Ai theksoi se do bëjë ç’është e mundur që situata në renditje të ndryshojë, ndonëse tregohet i sinqertë kur thotë se nuk e ka “shkopin magjik” që të bëjë mrekulli. “Pranova të marr përsipër drejtimin e Luftëtarit në këtë situatë, jo sepse kam ‘shkopin magjik’ dhe do mbaj ekipin në Superiore, por do të bëjmë të pamundurën deri në fund derisa matematika na e lejon. Një gjë ju garantoj, se nuk do t’i hapim rrugë asnjë ekipi në Superiore dhe nuk do të lejojmë asnjë të përdhosë fanellën e Luftëtarit. Një tjetër arsye që më bëri të marr drejtimin e Luftëtarit, është njohja e grupit të lojtarëve. Me këta çuna njihem mjaft mirë pasi kam punuar me ta nga 1 gushti. Kam besim te grupi, pavarësisht se rreziku për të rënë nga kategoria është i madh. Mbijetesa është e vështirë, por ne do luajmë ndershëm deri në fund të kampionatit”, përfundoi Novi, që bëhet trajneri i 5-të për këtë sezon, pas Klevis Dalipit, Klodian Duros, Jorgos Marantas dhe Nikolin Çoçllit.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"