Idrizi kërkon llogari për Vucajn dhe Abilaliajn, kreu i klubit takon Ramelën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2015 | 11:05

Idrizi kërkon llogari për Vucajn dhe Abilaliajn, kreu i klubit takon Ramelën

Ramella, Idrizi, Behari ne prezantimin e trajnerit te ri

Mbledhje urgjente te klubi i futbollit Flamurtari. Situata aspak e papranueshme pas 6 humbjeve radhazi, ka bërë që administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, të mbledhë në një takim drejtuesit e klubit dhe stafin teknik. Kështu, të pranishëm kanë qenë trajneri italian, Ernestino Ramela, si dhe ndihmësit e tij, por edhe disa specialistë futbolli pranë klubit të futbollit. Administratori Idrizi u ka kërkuar llogari në lidhje me këtë situatë aspak të mirë, ndërsa ka shfaqur pakënaqësi për lënien në stol të disa futbollistëve.

Burime brenda mbledhjes bënë të ditur për “Panorama Sport” se Idrizi i ka shfaqur pakënaqësi stafit teknik sa i përket kësaj situate, të cilën vetë ai e ka cilësuar të papranueshme. Administratori ka kërkuar nga trajneri Ramela si dhe stafi i tij teknik informacion mbi gjendjen e futbollistëve dhe mendimin e tyre se përse ekipi është në këtë gjendje.

“Gjashtë humbje radhazi, kjo është një situatë e papranueshme në Vlorë. Unë dua të di nga ju si staf teknik se çfarë nuk shkon. E kam thënë dhe vazhdoj ta them që nuk do të më dëgjoni ndonjëherë që unë të ndërhyj në formacion, që të vendosni këtë apo atë lojtar, por më bën diçka përshtypje. Në ndeshjen me Tiranën, Erjon Vucaj ka qenë në stol dhe është aktivizuar në pjesën e dytë, ndërsa Arbër Abilaliaj në tribunë. Ju e dini më mirë situatën, por më tingëllon jo mirë që Vucaj të qëndrojë në stol. Më bën përshtypje edhe aktivizimi i Maxhunit, jo në rolin e tij. Gjithsesi ju jeni specialistë dhe keni dorë të lirë. Sa të jem unë në krye të Flamurtarit, nuk do të ketë asnjë ndërhyrje te ju për formacionin, por unë dua që disa lojtarë t’i aktivizoni dhe të mos i mbani në stol. Unë nuk ndërhyj dhe nuk kam për të ndërhyrë asnjëherë në diktimin e koalicionit, por duhet që edhe të zgjidhni lojtarët që i përgjigjen formacionit”, ka thënë Idrizi. Më tej, administratori mësohet se ka theksuar para stafit teknik se në Vlorë nuk pranohet koha e gjatë me rezultate negative dhe se situata duhet të ndryshojë urgjentisht. “Nuk pranohet kjo situatë në Vlorë. Nuk gjej fjalë se çfarë të them. Gjashtë humbje radhazi është diçka e rëndë. Ndaj unë dua të mësoj nga ju se pse po ndodh kjo. Të gjithë presim tani kthesën se nuk ka ku të shkojë më”.

Arsyet

Trajneri Ernestino Ramela si dhe bashkëpunëtorët e tij, përpara administratorit Idrizi kanë dhënë justifikimet e tyre në lidhje me ndryshimet në formacion. Burime brenda mbledhjes thanë për gazetën se trajneri italian ka theksuar se ka qenë i detyruar të ndryshojë formacionin, për shkak se lojtarët mund të kenë qenë të dëmtuar, por edhe për shkak të politikës për aktivizimin e lojtarëve të rinj. “Kam qenë i detyruar të ndryshoj formacionet si pasojë e politikës që ne po ndjekim si klub për aktivizimin e lojtarëve të rinj dhe për ngritjen e akademisë. Po ashtu kam dashur t’u japë minuta edhe lojtarëve të stolit. Por kam qenë i detyruar për ndryshime edhe nga dëmtimet. Në rastin e Maxhunit, të cilin nuk mund ta kem aktivizuar në rolin e tij, por në një tjetër, e kam bërë këtë gjë për shkak se mund të kem pasur lojtarë të dëmtuar. E gjithë kjo situatë ka ardhur për këto arsye, por them se na ka shërbyer për të provuar lojtarët e rinj të akademisë”, ka thënë Ramela.

Milaneze

Përgatitësi atletik i Flamurtarit, Maurizio Milaneze, ka dhënë llogari për testet fizike që ka ai dhe Ramela zhvilluan pak ditë më parë me ekipin. “Pak ditë më parë zhvilluam disa teste fizike. Them se ishin takime që i kanë shërbyer ekipit, pasi ne kemi tani një gjendje edhe më të qartë. Ndoshta nuk janë pritur mirë, pasi ka pasur edhe reagime nga mediat, por këto teste i bën gjithë bota”, ka thënë Milaneze.

Përgatiti: ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"