Idrizi i ka shpallur “luftë”, Gjoka rikthehet në Vlorë: Nuk ndikojnë problemet e mia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2017 | 11:09

Idrizi i ka shpallur “luftë”, Gjoka rikthehet në Vlorë: Nuk ndikojnë problemet e mia

Ernest Gjoka rikthehet në Vlorë në një kohë që gjatë muajve të fundit jo pak është folur për të sa i përket gjyqeve me klubin e Flamurtarit. Administratori Sinan Idrizi i ka shpallur “luftë” trajnerit të Vllaznisë, por gjithsesi ky i fundit mendon se gjërat personale që ai ka me klubin, nuk do të ndikojnë aspak në takimin e sotëm. Në konferencën për shtyp para nisjes në Vlorë, trajneri i kuqebluve theksoi se sot është e rëndësishme që ekipi i tij të mos dalë pa pikë.

gjoka

Zoti Gjoka, çfarë ka ndryshuar te Vllaznia pas humbjes ndaj Laçit?

Jemi munduar të punojmë fort. Ndaj Laçit ishte një humbje që nuk e prisnim dhe mund ta evitonim, por në futboll ndodh gjithçka. Tani na del për detyrë që të shkojmë në Vlorë dhe të marrim rezultat pozitiv ndaj një skuadre që është ndër më të mirat e Superligës shqiptare.

Problemet tuaja me klubin e Flamurtarit vijojnë, pasi vetëm pak ditë më parë, administratori Idrizi ju kërcënoi me gjyq. Sa mund të ndikojnë këto në tensionimin e situatës për takimin e sotëm?

Ato janë probleme personale dhe nuk kanë lidhje aspak me skuadrën. Unë nuk kam pasur kurrë probleme, këto janë vetëm çështje juridike. Gjithsesi, nesër (sot) nuk do të ndikojë fare një gjë e tillë sepse nuk ka lidhje. b

E rëndësishme është që ne të jemi të qetë dhe të shkojmë në Vlorë për të bërë më të mirën. Rezultat pozitiv do të thotë vetëm fitore në Vlorë apo edhe me një barazim do të jeni të kënaqur?

Rëndësi ka që nga kjo fushë të dalim me diçka. Pra, që të mos dalim pa asgjë.

Po pësoni shumë gola. Keni menduar që të ndryshoni diçka në aspektin mbrojtës së skuadrës?

Po punojmë shumë për të korrigjuar defektet, pasi jemi ndëshkuar shpesh nga gabimet tona. E kemi thënë gjithmonë që kemi probleme në mbrojtje. Një nga problemet është edhe dëmtimi i Pjeshkës. Ai është një nga lojtarët kyç të skuadrës dhe kjo ka lënë hapësira mbrapa. Gjithsesi, unë besoj dhe shpresoj se ekipi do të bëjë më të mirën e mundshme duke dalë patjetër nga kjo situatë ku jemi. Kjo nuk bëhet shpejt, por edhe kohë nuk kemi në dispozicion. Të gjithë bashkë ta mbështesim skuadrën dhe të besojmë te futbollistët tanë.

A mund të na konfirmoni se kush do të jenë mungesat?

Vetëm Pjeshka dhe Bardulla që sot (dje) në stërvitje nuk ia doli dot me problemin që ka në tendinë. Sigurisht që do të ketë ndryshime në formacion. Do ta nisë Krymi së bashku me Tafilin për një mesfushë më të fortë dhe Hasani që do të zhvendoset në të majtë.

Cila mendoni se do të jetë pika juaj më e fortë në Vlorë?

Unë po mundohem të imponoj diçka në skuadër që ajo të funksionojë si duhet. Në një lojë futbolli dallimin nuk e bëjnë individët, por ndryshimin do ta bëjë grupi. Ne po imponohemi dhe po kërkojmë që të ndryshojmë këtë te skuadra.

Një problematikë ka qenë edhe gjendja psikologjike e skuadrës. A vazhdon kjo situatë?

Të gjithë ekipet që ndodhen në pozitat që jemi ne, këto probleme kanë. Tashmë duhet të rikuperojmë anën psikologjike. Shënojmë dhe nuk arrijmë që të menaxhojmë situatat, madje si në rastin e fundit, na kthehet edhe në krahun tjetër. Nëse arrijmë që të kuptojmë këtë, gjërat do të shkojnë më mirë. Por, janë rezultatet ato që s’po na lënë. Përveç tyre, edhe tifozët kanë ndikuar, por normalisht ata kanë shumë të drejtë. Edhe kolegët e mi që çdo gjë e shikojnë jo mirë dhe të gjitha këto pastaj kalojnë në trysni në skuadër. Prandaj, kërkoj që me shumë dashamirësi dhe respekt që të gjithë ta mbështesin skuadrën.

Iu referoheni kritikave nga ish-futbollistët shkodranë gjatë javëve të fundit në media…

Është kollaj që të japin opinione, por në këto momente kërkohet që të jepet pozitivitet. Po t’i bihet çdo gjëje vetëm për keq, atëherë asgjë nuk shkon mbarë. Në këto kushte, kërkojmë një mbështetje nga të gjithë faktorët që ta kalojmë këtë moment të vështirë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"