Idrizi: Gelashvili do kthehet, Bicaj është i Flamurtarit, dua fitore me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2015 | 11:58

Idrizi: Gelashvili do kthehet, Bicaj është i Flamurtarit, dua fitore me Tiranën

Sinan IdriziNikoloz Gelashvili pritet të rikthehet në Vlorë. Pas shkëputjes disa mujore me vlonjatët, pas dëmtimit që pësoi me kombëtaren gjeorgjiane, sulmuesi do t’i bashkohet sërish ekipit. Lajmi është konfirmuar për “Panorama Sport”, vetë administratori i klubit Sinan Idrizi.

Ai theksoi se do të shikohet gjendja e Gelashvilit dhe më pas do të merret vendimi për aktivizimin e tij. Ky vendim ka ardhur, pasi lojtari cilësohet si një përforcim i nevojshëm për ofensivën.

“Nikoloz Gelashvili pritet që të vijë në Vlorë gjatë këtyre ditëve. Ndoshta këtë javë, sulmuesi mund t’i bashkohet ekipit. Na ka dhënë sinjale dhe shenja pozitive të një rikthimi, pasi është rikuperuar gjatë kësaj kohe në Greqi. Kur të na vijë, do ta shikojmë edhe  më shumë gjendjen e tij. Nuk e dimë se si do të jetë pas rikuperimit, por nga kontaktet që kemi na ka thënë që është në formë. Do ta shikojmë edhe nga ana fizike. Nëse do të jetë mirë, do të na japë një mbështetje dhe një ndihmë shumë të madhe për pjesën e mbetur të kampionatit. Nëse do të na vijë këto ditë, do ta shikojmë se si do të jetë. në rast se është mirë, do ta aktivizojmë.

Do të jetë një ndihmë e madhe për ne, duke na siguruar edhe më shumë në sulm, duke e pasur alternativë. Gelashvili ka një dashuri shumë të veçantë për Flamurtarin. Shpeshherë ai interesohet dhe pyet për ecurinë e ekipit. Ai është një lojtar që ne e duam dhe që na bën shumë punë”, u shpreh administratori.

Bicaj – Kreu i klubit zbulon se edhe Ditmar Bicaj do të jetë pjesë e Flamurtarit sezonin e ardhshëm. Idrizi theksoi se me mbrojtësin është rënë dakord në parim që t’u bashkohet vlonjatëve. “Ditmar Bicaj do të jetë pjesë e Flamurtarit për sezonin e ardhshëm. Edhe pse po stërvitet te Tirana këto ditë, unë e shikoj lojtarin si pjesën tonë. Problemet që ai ka pasur me klubin në Iran, të cilin e ka çuar në FIFA, me qëllim që ky institucion ndërkombëtar të japë të drejtën të bëhet pjesë e jona, na kanë penguar dhe lojtari është në pritje të vendimit.

Ne kemi arritur me Bicajn akordin që ai të jetë pjesë e Flamurtarit sezonin e ardhshëm dhe them se ekziston për këtë vullneti i të dy palëve. Nga ana tjetër, me afrimin edhe të disa lojtarëve të tjerë nga kampionati shqiptar, por edhe jashtë tij, atëherë pritet që të kemi një Flamurtar ndryshe, një ekip që do të konkurrojë denjësisht, pasi e kam thënë dhe e përsëris që ne kemi dështuar dhe se nuk është ky Flamurtari që ne të gjithë duam”, theksoi më tej administratori. Ndeshja – Idrizi, duke u ndalur te ndeshja me Tiranën që luhet në fundjavë në Vlorë, theksoi se kjo është një ndeshje e radhës. Administratori u bën apel lojtarëve të tij që të luajnë ndershëm deri në fund, pasi Flamurtari nuk është pjesë e aleancave. “Ajo me Tiranën do të jetë si një ndeshje e radhës e kampionatit, por natyrisht që unë do të kërkoj që ekipi ta vlerë- sojë atë me shumë seriozitet. Parimet e mia më shumë se sa fitorja, mbetet te loja që duhet të zhvillojë ekipi. Me këtë dua të them se të gjithë presin një lojë ndryshe dhe të kënaqen kur të shkojnë në stadium. Tjetër gjë që dua nga futbollistët është që të luajnë ndershëm deri në fund, të bëjnë lojën e tyre, pasi Flamurtari është jashtë çdo aleance”, përfundon Idrizi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"