I vetmi afrim në merkato, flet futbollisti i Besës: Ja çfarë na premtoi Bizhdili

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2021 | 16:40

I vetmi afrim në merkato, flet futbollisti i Besës: Ja çfarë na premtoi Bizhdili

Besa ka hyrë në ditën e katërt të stërvitjes, por i vetmi afrim mbetet mbrojtësi i majtë vlonjat Nertil Hoxhaj, i cili në sezonin e fundit ishte pjesë e Vllaznisë. Lojtari është mirëpritur te Besa dhe sikurse deklaron në një bisedë për “Panorama Sport”, ndihet mjaft mirë në Kavajë.

Besa

“Që ditën e parë të stërvitjes jam pritur shumë mirë, si nga stafi, ashtu edhe shokët e skuadrës. Gjeta një ambient tejet miqësor, ku ke dëshirë të punosh, me kushte e mundësi të mira për stërvitje”, thotë fillimisht Hoxhaj. Më tej ai nuk e mohon faktin se grupi ka shumë nevojë të plotësohet, pasi për momentin janë vetëm 5-6 titullarë të gatshëm për të përballuar kampionatin.

“Në ekip ka futbollistë me plot përvojë në Superiore, si Tafili, Muçaj, Perja apo lojtarët që tashmë kanë fituar eksperiencë, si Dobjani, Meçja, Zeqiri e Zekolli. Pavarësisht emrave që citova, nisur nga fakti se pritet të jetë një garë e fortë, Besës i duhen mjaft përforcime. Në një bisedë që pata me presidentin Bizhdili, më siguroi se ditë pas dite ekipi do të plotësohet. Kampionati nis më 11 shtator dhe deri më 10 gusht është e mjaftueshme koha e plotësimit të grupit”, deklaron Hoxhaj, që nuk lë pa përmendur dhe objektivat personalë.

“Të luash për Besën është njësoj sikur luan me Tiranën, Partizanin, Teutën etj., pasi fanella verdhezi mbetet e rëndë dhe e lakmueshme nga të gjithë. Nuk premtoj se do të bëj gola, por do të jap maksimumin tim që ekipi të ketë sukses. Do të jetë kampionat i fortë, ku secili prej nesh duhet të djersijë shumë nëse duam suksesin. Meqë janë ditët e para, besoj se pas dy javësh do të shihni një tjetër Besë”, përfundoi 24-vjeçari vlonjat.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"