I quan mashtrues pasi “fabrikojnë” lajme, Ksavi çon në gjyq gazetarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 13:35

I quan mashtrues pasi “fabrikojnë” lajme, Ksavi çon në gjyq gazetarët

Ksavi Hernandez ka vendosur të thotë mjaft! Trajneri i Barcelonës ka kohë që po duron se si hidhen në treg gënjeshtra për të nga disa media. Dhe ai ka vendosur të reagojë në mbrojtje të figurës së tij. Kjo është arsyeja pse trajneri i Barçës ka paditur dy gazetarët, Manuel Habois dhe Havier Migel, për disa informacione që ata kanë publikuar javët e fundit.

ksavi

Manuel Habois, gazetar i “El País”, pas disa deklaratave të trajnerit në të cilat ai ankohej për Barcelonën duke u quajtur “qesharakja e Europës”, deklaroi në emisionin “El Larguero” se Ksavi kishte kritikuar disa nga informacionet e tij. Gazetari hezitoi të jepte emrin e trajnerit, në fund e bëri: “Ishte private, me mesazhe dhe në mënyrë mjaft të pistë. Ai ka fituar gjithçka si lojtar e trajner dhe mendoi se për shkak të kësaj ishte bërë i paprekshëm”. Njerëzit pranë trajnerit të Barcelonës siguruan se Ksavi nuk e kishte kontaktuar asnjëherë me këtë gazetar. Më në fund, Habois pranoi se nuk e kishte bërë drejtpërdrejt, por e kishte marrë informacionin përmes palëve të treta.

Trajneri e di fare mirë se nuk është kështu dhe për këtë arsye ka ngritur një padi ndaj gazetarit, ku veç faktit se e konsideron të rremë informacionin e tij ka vënë dukje se është shumë i prekur me një nga fjalët e gazetarit “diçka e pistë”. Por Habois nuk është gazetari i vetëm që do të përballet në gjyq me trajnerin e Barcelonës. Trajneri i katalanasve ka paditur edhe gazetarin tjetër Havier Migel, bashkëpunëtor i mediave të ndryshme, për informacion në të cilin ai ka treguar disa javë më parë se Ksavi Hernandez kishte kryer një “krim”, duke detyruar anëtarët e stafit të tij të dorëzonin celularët në tavolinë për të parë se kush po nxirrte lajmet nga brenda dhomave të zhveshjes së Barcelonës.

Sipas teknikut të Barcelonës, edhe ky lajm që bëri bujë në Spanjë është cilësuar absolutisht i rremë. Për këta arsye ai ka paditur gazetarin, i cili tani ka një afat për të korrigjuar këtë informacion. Ksavi ka kërcënuar, se nëse gazetari nuk e përgënjeshtron lajmin e tij, do të vazhdojë me padinë.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"