“I mikëpritur që kur kam ardhur, ja premtimi im për tifozët”, Bobi: Golin e parandjeva, Elbasani i ideuar për kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2024 | 13:52

“I mikëpritur që kur kam ardhur, ja premtimi im për tifozët”, Bobi: Golin e parandjeva, Elbasani i ideuar për kampion

Elbasani vijon të bindë me rezultate dhe lojë, gjë e cila u pa edhe të shtunën e kaluar ndaj matjanëve, ku skuadra e trajnerit Dede fitoi në shtëpi në shifrat 3-0. E ka pritur gjatë një gol në “Elbasan Arena” këtë sezon dhe e realizoi vetëm pak sekonda sapo hyri në fushë me prekjen e parë të topit ndaj Burrelit.

bobi elbasani

Bobi Klement, sulmuesi i afruar në merkaton e verës së 2023-shit, ka qenë i pafat duke vuajtur dëmtimet, por edhe për të gjetur rrugën e rrjetës. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, nigeriani e parandiente që do të shënonte në këtë ndeshje, teksa rrëfen emocionet kur i gjithë stadiumi po thërriste emrin e tij në kor. Ai premton se nuk do të ndalet me kaq, ndërsa e sheh Elbasanin kampion në fund të këtij sezoni.

Si ndiheni pas golit të shënuar pas shumë kohësh? 

Ndjehem shumë i lumtur. Kam qenë i bllokuar për pak kohë, por gjithmonë jam munduar të jap më të mirën time për Elbasanin.

E prisnit të shënonit me prekjen e parë? 

Kam pasur shumë raste për të shënuar, por nuk kam arritur të finalizoja. E ndieja që në këtë ndeshje do të shënoja, pasi ende nuk kisha realizuar në stadiumin “Elbasan Arena”. Falënderoj ekipin për mbështetjen e dhënë. Gjithashtu, lutem sa herë futem në fushë.

Kujt ia dedikoni golin? 

Fillimisht golin ia dedikoj Zotit, trajnerit Dede i cili nuk ndaloi së besuari tek unë, si dhe familjes sime.

I gjithë stadiumi thirri emrin tuaj në kor, si ndiheni? 

U jam shumë falënderues. E kam ndjerë mikpritjen dhe mbështetjen e tyre që kur kam ardhur, në çdo moment. U premtoj gola të tjerë dhe është një tifozëri që e dua shumë.

Ndeshjen e radhës e keni ndaj Kastriotit, çfarë synoni në këtë sfidë? 

Ndaj Kastriotit hyjmë vetëm për fitore dhe tri pikët. I vlerësojmë, sepse janë ekip i fortë, por ne do të vazhdojmë rrugën tonë.

Besoni se në fund do të shpalleni kampion me Elbasanin? 

Po, jam shumë i bindur që do të jemi ne kampionët e kësaj kategorie. Do mundohemi ta menaxhojmë situatën, që rruga drejt Superiores të jetë e suksesshme. Elbasani është ekip i projektuar për kampion.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"