Hysaj: Jam me fat që nuk e kam më Imobilen kundërshtar, më kënaqën duartrokitjet për Strakoshën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 16:10

Hysaj: Jam me fat që nuk e kam më Imobilen kundërshtar, më kënaqën duartrokitjet për Strakoshën

Elseid Hysaj ka bindjen se Lacio shumë shpejt do të marrë atë formë që dëshiron trajneri Sarri dhe do të argëtojë ashtu siç bënte Napoli i tij disa vite më parë. Mbrojtësi  ka dalë sot në konferencë për shtyp duke folur për takimin e radhës ndaj Torinos si dhe për gjendjen aktuale të skuadrës, duke u ndalur edhe te dualiteti në portë mes Reinas dhe Strakoshës.

hzsaj

Je futbollisti më i aktivizuar nga Sarri në karrierën e tij, në çfarë pikash keni ndryshuar ju dhe trajneri që nga fillimet tuaja?
Jemi pak më pjekur nga çdo pikëpamje. Të dy kemi bërë eksperienca jashtë vendit tonë. Trajnerin e shoh të karikuar dhe më të motivuar. Shoh që i pëlqen të punojë me Lacion.

Në verë ke zgjedhur Lacion pavarësisht ofertave të shumta, a ishte vendimtare prania e Sarrit?
Sigurisht ishte një motiv më shumë, por e kisha në vetvete idenë që të vija të luaja për Lacion, një skuadër shumë e fortë.

Kush të ka bërë më shumë përshtypje si shok skuadre?
Lacio i ka bezdisur të gjithë, ka shumë lojtarë të fortë. Çiro Imobile është një prej më të fortëve, kur e ke përballë të mërzit, tani them që jam me fat. Janë edhe Luis Alberto e Milinkoviç…

Sa kohë ju mungon për t’u bërë një skuadër e Sarrit?
Për disa lojtarë që ishin këtu, pas disa viteve me 3-5-2, nuk është e lehtë të ndryshosh modul. Do të jetë një gjë e shpejtë: me trajnerin në fushë dhe stërvitjet që po bëjmë, brenda një kohe të shkurtër do të kthehemi në formë. Torino është shumë i fortë, duhet të ecim para të bindur dhe të mendojmë që jemi Lacio. Duhet të besojmë në veten tonë. Ku mund të përmirësohemi? Ka shumë aspekte, por me gatishmërinë që ka këtu, jam besimplotë. Herët a vonë do të argëtohemi.

Të dielën është derbi, a po mendoni që tani për të?
Jo, askush nuk flet. Si fillim është Torino dhe kemi parë që nuk duhet të nënvlerësojmë kurrë kundërshtarët.

Njeh mirë të dy portierët e L:acios, me Reinan ke luajtur te Napoli, me Strakoshën në Kombëtare…
Ka një pasuri të madhe mes shtyllave. Janë dy kampionë që po luajnë për vendin e titullarit, më erdhi keq për gabimin e Strakoshës ndaj Gallatasarajit, por ai është një profesionist. Jam i lumtur që tifozët të dielën e duartrokitën, ishte një gjest i rëndësishëm për të gjithë, e dimë që tifozeria na mbështet gjithmonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"