Haxhiaj sponsorizon Apoloninë, beson te freskia fizike e ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2020 | 22:08

Haxhiaj sponsorizon Apoloninë, beson te freskia fizike e ekipit

Shkëputja prej më shumë se dy muajsh ka sjellë pasoja në futboll. Lojtarët kanë humbur shumë nga forma e tyre dhe u duhet kohë për të qenë në tonusin e duhur. Ka qenë një situatë e dëmshme për skuadrat, që tashmë duhet të punojnë edhe me pak sforco për të rikuperuar kohën e humbur dhe për të përfunduar pjesën e mbetur të garës. Sipas mjeshtrit fierak, Romeo Haxhiaj, koha e përgatitjeve është deri diku e mjaftueshme për aq ndeshje sa kanë mbetur.
romeo_haxhiaj_pasgolitsized
“E kam thënë edhe më parë për gazetën: Topi duhet të lëvizë në fushë, aty vendoset fati i çdo ekipi. Lajmi i mirë është rifillimi i kampionatit, të tjerat janë pjesë diskutimi. Futbolli u ndërpre në mars, kur skuadrat ishin thuajse në kulmin e formës dhe gara në rrjedha interesante, sidomos në Grupin B të Kategorisë së Parë. Ndërprerja ka pasur kosto për lojtarët, sidomos në aspektin fizik. Megjithatë, gati 4 javë që kanë në dispozicion, them se janë të mjaftueshme për të përballuar vazhdimin e garës”, shprehet Haxhiaj

GARA – Më tej, Haxhiaj flet edhe për atë që pritet të ndodhë në 6 javët e mbetura në Grupin B. “Do të jetë një garë shumë e fortë dhe e luftuar mes 3 skuadrave të kreut, që kanë diferenca të vogla pikësh, por edhe në cilësi. Nuk duhet harruar Besa, një ekip që mund të krijojë probleme. Përballjet direkte do të vendosin gjithçka dhe është e vështirë të bësh një parashikim të saktë. Renditja mund të ndryshojë nga java në javë. Gabimet kushtojnë shumë në këtë fazë të kampionatit. Apolonia ka avantazh moshën e re të lojtarëve, që mund ta ndihmojë në aspektin fizik, duke e favorizuar ndaj kundërshtarëve, po të kemi parasysh faktin se ndeshjet do të luhen në temperatura të larta. Nga ana tjetër, Pogradeci dhe Lushnja kanë përvojë. Të mos harrojmë atë që bëri Apolonia në pjesën e fundit të kampionatit, kur me disa fitore radhazi mori kreun. Nëse gara do të kishte vazhduar, Apolonia do të ishte pretendente kryesore, sepse forma e skuadrës po vinte gjithnjë në rritje. Megjithatë, e ritheksoj, gara mbetet e hapur dhe të tria ekipet do t’i luajnë ‘kartat’ e tyre në fushë. Duke shmangur hapat falsë, Apolonia i ka të gjitha shanset për të qenë e para. Të parën gjë që duhet të bëjë, është fitorja ndaj Lushnjës, pasi diferenca mes tyre do të thellohej dhe Apolonisë do t’i rritej motivimi për ndeshjet e tjera”, u shpreh për “Panorama Sport” ish-sulmuesi Romeo Haxhiaj.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"