Gvozdenoviç ua thotë hapur lojtarëve para Dinamo-Skënderbeu: Më keni mërzitur!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2023 | 19:59

Gvozdenoviç ua thotë hapur lojtarëve para Dinamo-Skënderbeu: Më keni mërzitur!

Fitorja me vuajtje e Skënderbeut ndaj Tërbunit, nuk kishte si të mos kalonte pa analizë të detajuar. Shpërdorimi i rasteve dhe ulja e ritmit të lojës dhe lënia e mesit të fushës kundërshtarit, nuk i kanë pëlqyer aspak trajnerit.

gvozdenovic

Këtë shqetësim Ivan Gvozdenoviç ia ka përcjellë dhe ekipit, me qëllim të reflektojë ndaj Dinamos. Në mbledhjen e zhvilluar me të gjithë lojtarët, serbi është shprehur i bindur tek aftësitë e të tijve, por ka kundërshtuar egoizmin e theksuar në fazën sulmuese. “Jemi duke kaluar një moment të mirë, por ndeshja e fundit më ka lënë të mërzitur. I referohem lojës. Le të marrim vetëm pikët nga ajo ndeshje dhe të ndryshojmë shumëçka në lojë. Së pari, mund të nxjerrim alibinë e fushës dhe vështirësinë e temperaturave, por është e patolerueshme që shumë prej jush të jenë egoistë në fazën sulmuese. Kjo duhet të ndryshojë menjëherë. Po ashtu, nuk duhet t’i lëmë kundërshtarit të marrë mesin e fushës dhe të na diktojë lojën se jemi në avantazh. Ndodhi me Tërbunin, shpëtuam, por nesër me një kundërshtar tjetër çfarë të presim. Prandaj le të bëhemi seriozë dhe t’i shkojmë ndeshjes deri në fund”, ka theksuar veç të tjerash trajneri i Skënderbeut përballë lojtarëve të tij.

LIÇO – “Blindimi” i vendit të dytë, ka rritur moralin dhe dëshirën te korçarët. Tani ia kanë hedhur sytë kreut dhe shansin që t’i afrohen e kanë këtë javë, kur sfidojnë Dinamon. I këtij mendimi është edhe Dean Liço, që ka gjetur golin e dytë radhazi në kampionat. “Ka qenë një ndeshje ku kemi vuajtur dhe një fitore e vështirë për ne. Por, për fat të mirë morëm tri pikët dhe ia dolëm më së miri të mbajmë ritmin e duhur në kampionat, duke synuar gjithmonë maksimumin. Kemi vuajtur në këtë sfidë, ndaj duhet ta pranojmë dhe të reflektojmë në vijimësi. Fusha ka qenë e vështirë, fillimisht e ngrirë dhe më pas u rëndua shumë.

Kjo na nxori jashtë modelit tonë të lojës. Por edhe pas avantazhit e morëm shumë lehtë takimin. Gabuam dhe lejuam kundërshtarin të merrte mesin e fushës dhe të rrezikonte disa herë. Duhet ta mbyllnim më shpejt ndeshjen, por për fat të mirë nuk pësuam. Goli i dytë në dy ndeshje më jep besim për të qenë gjithmonë në lartësinë e duhur. Por kur fiton ekipi, është shumë herë më bukur. Tani të mendojmë për Dinamon, jemi në kohë për të përgatitur ndeshjen dhe për të bërë më të mirën ndaj kryesuesve. Do të udhëtojmë me qëllimin e vetëm, të fitojmë këtë takim dhe të shkurtojmë distancën nga vendi i parë. Kjo do të ishte në të mirën e objektivit që kemi”, theksoi fantazisti.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"