Gvozdenoviç në prag të duelit me Vllazninë: Do jetë ndeshja e sezonit, nuk i fshihem “Final 4”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2024 | 12:16

Gvozdenoviç në prag të duelit me Vllazninë: Do jetë ndeshja e sezonit, nuk i fshihem “Final 4”

Skënderbeu dhe Vllaznia përballen në Korçë në ndeshjen e fundit të javës së 27 të kampionatit.

GVOZDENOVIC

Dy ekipet që po kalojnë një formë mjaft të mirë në ndeshjet e fundit, do të kërkojnë të ruajnë ecurinë pozitive në këtë kampionat. Pas dy humbjesh në dy fazat e para të sezonit për Skënderbeun kjo ndeshje vjen si një revansh teksa trajneri Gvozdenoviç kërkon nga ekipi përqendrim dhe manovër të qartë sulmuese për të arritur fitoren e parë sezonale përballë shkodranëve. Nga ana tjetër kryepankina korçare nuk i fshihet “Final Four”-it që tashmë ka filluar ta mendojë si një objektiv real për ekipin, por sërish kërkon kujdes dhe këmbë në tokë për javët e mbetura të kampionatit.

Ivan, Skënderbeu-Vllaznia sot në Korçë. Jeni gati për këtë ndeshje të rëndësishme?

Po, jemi gati. Kemi mbyllur përgatitjet dhe seancën e fundit stërvitore dhe mund të them se gjithçka është gati për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë. Vijmë në këtë takim me tri mungesa pasi Uçe, Pecani dhe Zenullari nuk janë të gatshëm për arsye dëmtimesh teksa pjesa tjetër e ekipit është e gjitha në dispozicion dhe gati për këtë ndeshje.

Përballen dy ekipet më në formë të momentit, çfarë prisni nga kjo sfidë?

Do të jetë një ndeshje shumë e bukur për të gjithë ata që dashurojnë futbollin. Kjo është pak, por e sigurt. Janë dy ekipet që bëjnë futbollin e bukur dhe më në formë në momentin që flasim. Vllaznia ka një futboll të shpejtë dhe të bukur, po ashtu edhe ne kemi treguar se dimë të luajmë mirë futboll. Do të jetë një ndeshje e bukur në Korçë.

Pas dy humbjesh në dy ndeshjet e para, është koha për revansh ndaj shkodranëve?

Shpresoj që të jetë kështu. Edhe ndaj Laçit statistikat flisnin në favor të tyre, por që ne në fushë treguam të kundërtën dhe morëm një fitore të rëndësishme. Do të mundohemi të bëjmë të njëjtën gjë edhe ndaj Vllaznisë për të dalë me pikët maksimale nga kjo ndeshje.

A e di Gvozdenoviç si ndalet Vllaznia?

Ne kemi punuar fort gjatë gjithë javës dhe jemi përqendruar tek përgatitja e ekipit për këtë ndeshje. Padyshim që do të mundohemi të hyjmë në ritëm menjëherë dhe të sulmojmë kundërshtarin. Jemi Skënderbeu dhe do të kërkojmë tri pikët gjithmonë në çdo takim. Është koha të marrim fitoren edhe ndaj Vllaznisë dhe jam i bindur që ekipi do të dijë të menaxhojë këtë ndeshje.

Vllaznia vjen në Korçë me portierin e tretë, pasi dy të tjerët i ka të dëmtuar. A është favor për ju?

Unë nuk e di gjendjen e Vllaznisë dhe nuk mund të flas për gjendjen e ekipit kundërshtar. Unë shoh Skënderbeun dhe mundohem të ndërtoj ekipin tim në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne do të luajmë lojën tonë në raport me kundërshtarin që kemi parë në ndeshjet e fundit. Shpresoj dhe besoj se do ia dalim.

Asnjëherë nuk e përmendni “Final Four”, edhe pse jeni në vendin e katërt. Strategji apo frikë presioni?

Jo, nuk është frikë. Skënderbeu është një ekip me traditë dhe nuk mund të kemi frikë nga një objektiv i tillë. Skënderbeu është ndërtuar për atë objektiv. Por, duhet të jemi të kujdesshëm me qëllim që të mos na rrëmbej euforia. Ka ende shumë ndeshje përpara dhe duhet t’i kalojmë të gjitha me sukses për të pasur garanci. Kjo është e gjitha.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"