Goditje e bujshme në merkato, Besa pranë akordit me ish-mesfushorin e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2020 | 0:20

Goditje e bujshme në merkato, Besa pranë akordit me ish-mesfushorin e Tiranës

Besa nuk ka në plan të ndalet në merkato. Pasi prezantoi Jurgen Peqinin, Eristotel Kolecin dhe Igli Moqin, po bëhet gati për një “goditje” më të madhe. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Jetmir Sefën, klasi i të cilit do t’i bënte mjaft punë për mesfushën.

sefa

Presidenti ka nisur bisedimet prej ditësh me të dhe duket se e ka bindur, pasi sot 33-vjeçari do të vijë në Kavajë për të mbyllur njëherë e mirë edhe marrëveshjen kontraktuale. Me CV-në që ai ka, do të ishte pa dyshim një “aset” për trajnerin Ndriçim Kashami, pasi kujtojmë se ka luajtur për klube të mëdha në elitë, si Tirana, Skënderbeu e Vllaznia. Përshtatjen në Kategorinë e Parë nuk do ta ketë aspak problem, pasi vjen pas një aventure te Dinamo.

jetmir sefa

Mesfushori në karrierën e tij ka provuar të luajë edhe në Kosovë, te Liria e Prizrenit. Nëse gjithçka do të shkojë sipas planeve dhe firma do të hidhet në kontratë, atëherë Jetmir  Sefa do të bëhej blerja numër 5 për verdhezinjtë. Përforcim është edhe braziliani Kaina Nunjes, i cili është bërë zyrtarisht pjesë e Besës sapo u mbyll sezoni i fundit. Ai ende nuk është vënë nën urdhrat e stafit teknik, e megjithatë as kjo procedurë nuk do të vonojë. Gazeta zbulon se sulmuesi do të jetë të enjten në Shqipëri.

PLANI

Nexhat Bizhdili po tregohet tejet i kujdesshëm në këtë merkato. Edhe pse pa “zhurmë”, po mundohet që të shtojë cilësinë në organikën e tij. Pas 5 vitesh dështim, këtë herë do të tentojë me çdo kusht rikthimin në Kategorinë Superiore. Misioni do të jetë pa diskutim më i vështirë, pasi gara do të jetë e ashpër, ndaj edhe çdo blerje do të bëhet e studiuar.

TË TJERËT

Me afrimet nuk do të mbyllet këtu, pasi brenda javës mund të zyrtarizohen edhe dy të tjerë. Bëhet fjalë për një portier dhe një mbrojtës. Emrat e tyre po mbahen “sekret”, megjithatë gazeta mëson se gardiani mund të vijë që sot në Kavajë. Sa i përket lojtarit të prapavijës, dihet vetëm që do të jetë i huaj dhe që fillimisht do t’i nënshtrohet provës.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"