Godina u shemb, por teatri jep shfaqje në Superiore! Estrada e javës së 35-të, si do veprojë FSHF?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2022 | 22:09

Godina u shemb, por teatri jep shfaqje në Superiore! Estrada e javës së 35-të, si do veprojë FSHF?

Godina ikonë është shembur, por teatri në Shqipëri vazhdon duke u spostuar në fushat e blerta të stadiumeve. Nuk bëhet fjalë për shfaqje artistike me trupa shëtitëse, por për shfaqje futbollistike, ku disa rezultate dihen edhe disa ditë pa u luajtur ndeshja.

SUPERIORE

Java e 35- të e Superiores është pasqyra reale e estradave futbollistike në vend, ndonëse fundsezoni prej javësh ka dhënë sinjalet e kësaj gangrene. Në fillim të majit u duk se FSHF-ja i mori frenat e situatës duke goditur me dorë të hekurt fenomenin e tolerimit, mosangazhimit dhe hapjes së portave ndaj kundërshtarëve respektivë, që ata të arrijnë objektivat madhorë. Federata përjashtoi për pesë vite tri klube të Kategorisë së Dytë, për goleadat që ata prodhuan në javët e fundit të kampionatit, ku patëm festival golash deri në 15 gola në një portë. Vendim i drejtë, ku pas një sezoni të lodhshëm nuk mund të bësh pis një produkt me paracaktim rezultatesh.

Ky shembull i marrë në Kategorinë Dytë me sa duket nuk shërbeu për asgjë. Themi kështu nisur nga produkti i servirur në javën e 35-të të Superiores. Pamjet nuk kishin nevojë për koment, thjesht të shikoje si sillej në fushë mbrojtja e Kastriotit ndaj Partizanit apo shthurjen totale të Laçit me Teutën në fund. Raste mosangazhimi ranë në sy edhe në ndeshje të tjera të kësaj jave, por disi më të lehta se në dy sfidat e lartpërmendura.

Kjo sjellje tregon se fenomeni i teatrit me mbathje në Shqipëri, sado që të ndëshkohen klube të vogla apo që nuk kanë votë në asamble, është i pashmangshëm në futbollin shqiptar. Kjo gjë ndodh edhe në vende të tjera, kryesisht në fund sezonesh me protagoniste skuadra që i kanë arritur objektivat, apo që kanë dalë nga çdo luftë, por nuk bëhen qesharake me sjelljen e tyre në fushën e lojës. Sigurisht, kur shkohet në këtë pikë, gjithkush e meriton të përfundojë në komisionet përkatëse të Etikës dhe Disiplinës.

Kështu që FSHF-së i del për detyrë ose të mbajë një standard veprimi me të gjithë, ose të na kursejë shfaqjet pompoze siç bëri me përjashtimin nga gara të tri klubeve të Kategorisë së Dytë, Bulqiza, Gramshi dhe Internacionali për goleadat e prodhuara në fund, gjersa nuk i eviton dot estradat e fundkampionatit. Gjithsesi, shpresat janë të pakta që kjo gjë të ndodhë, pasi e shkuara ka treguar se FSHF-ja është e fortë vetëm me të “vobektët”, ose ata që nuk kanë as peshë dhe votë dhe përdoren thjesht si kavje dhe shembuj ilustrues, ku gjasme qeveria e futbollit shqiptar i godet fenomenet që njollosin aktivitet sportive.

Madje, edhe kur janë lakuar raste klubesh me të drejtë vote, dosjet dhe çështjet e tyre gjasme të hapura nga komisionet disiplinore i ka mbuluar pluhuri i harresës, ose janë mbyllur në heshtje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"