Gjyrezi: Pagat zhbllokohen me një firmë të prefektit, ekipi do të shkojë në fazë përgatitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2017 | 14:29

Gjyrezi: Pagat zhbllokohen me një firmë të prefektit, ekipi do të shkojë në fazë përgatitore

Administratori i klubit të futbollit Vllaznia sh.a, Astrit Gjyrezi, është shprehur se problemet e pagesave ndaj lojtarëve do të marrin zgjidhje deri në fund të këtij muaji. Kalimi i fondit prej 170 milionë lekësh (të vjetër) nga Këshilli Bashkiak tani, sipas administratorit, pret vetëm një firmë të fundit, atë të prefektit të Shkodrës për të filluar më pas shlyerjen e pagës së prapambetur të lojtarëve, por edhe të këstit që klubi ka për të paguar sipas marrëveshjes së bërë në degën e Tatimeve.

Astrit Gjyrezi

Astrit Gjyrezi

“Mund të them se janë bërë gati të gjitha procedurat që, menjëherë pas firmës që pret të marrë vendimi i Këshillit Bashkiak nga ana e prefektit të Shkodrës, të bëhet i mundur lëvrimi i fondit. Pra, kalimi i rrogave të lojtarëve dhe po ashtu edhe likuidimi i këstit që kemi për Tatimet. Kemi bërë një kontratë dhe po e respektojmë.

Mendoj se, deri në fund të gushtit, këto gjëra do të jenë të zgjidhura dhe normaliteti në financa si përherë do të jetë prezent. Nuk ka asnjë arsye që çështja e bllokimit të llogarive të ndikojë te pagesat. Ne i kemi dhënë zgjidhje këtij problemi”, është shprehur administratori.

Llogaritë

Administratori ka folur edhe për bllokimin e llogarive të klubit. Ai është shprehur tepër optimist se që muajin e ardhshëm do të marrë një zgjidhje çështja gjyqësore e nisur nga bashkia në drejtim të kompanisë përmbarimore.

“Mund të them se ajo që ka ndodhur me ‘GEA Sportin’ ishte pa asnjë logjikë. Por mendoj se që, në muajin tjetër, do të kemi një vendim të gjykatës dhe do të zhbllokohen edhe llogaritë. Por kjo për ne nuk konsiderohet si çështje, pasi nuk na pengon për asgjë tjetër”, vijoi Gjyrezi.

Faza

Në fund të fjalës së tij, administratori Astrit Gjyrezi ka folur edhe për afrimet e bëra dhe ato që priten. Ndërsa ai ka theksuar edhe faktin se po punohet për krijimin e kushteve për zhvillimin e fazës përgatitore.

“Janë bërë afrimet e duhura në merkato. Tekniku ka dhënë verdiktin e tij për të gjithë këta lojtarë. Edhe për lojtarin nga Gana, çështjen e afrimit të tij e shikoj të mbyllur. Stafi është shprehur pozitivisht në këtë drejtim. Ndërsa po presim që të shikojmë lojtarë që do të vijnë për provë. Për sa i përket fazës përgatitore, besoj se, deri në fund të javës, do të vendoset edhe kjo gjë. Ekipi do të shkojë në fazë përgatitore”, ka deklaruar administratori.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"