Gjoka: Nuk ka titullarë të padiskutueshëm tek Apolonia!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:47

Gjoka: Nuk ka titullarë të padiskutueshëm tek Apolonia!

Bardhejeshilët kanë arritur të kalojnë me sukses testin e parë të zhvilluar në kampingun e Pogradecit. Kjo jo se e kanë mundur me rezultatin 1-0 skuadrën vendëse në miqësoren e zhvilluar, por dhe sepse kanë arritur të prodhojnë një lojë të mirë në përgjithësi e të tregojnë se janë drejt harmonizimit përfundimtar, duke pasur një skuadër tashmë të formatuar. Trajneri i Apolonisë, Ernest Gjoka, në një prononcim për “Panorama Sport” u shpreh jo shumë i kënaqur me të besuarit e tij. “S’mund të them se jam plotësisht i kënaqur nga loja e zhvilluar me lojtarët tanë. Vërtet të gjithë ata që u aktivizuan u munduan të kryejnë sa më mirë detyrat e ngarkuara. Lëvizën mirë në fushë duke qenë të shpejtë, të zhdërvjelltë, por dhe të saktë në veprimet e tyre. Prodhuan një lojë të pëlqyeshme dhe e mbajtën kundërshtarin nën presion duke krijuar raste të shumta shënimi, megjithëse arritën të shënonin vetëm një gol”, është shprehur fillimisht Gjoka. Ndërkohë duke folur për fraksionin e dytë të lojës, trajneri shtoi: “Qëllimi ynë në miqësoren me Pogradecin ishte që të shikonim të gjithë lojtarët në gjendje loje. Kjo na bëri që në pjesën e dytë të aktivizonim të gjithë kontingjentin e lojtarëve që kemi në dispozicion. Megjithëse nuk shënuan gola të tjerë, ata zhvilluan një lojë racionale me mendim, duke vazhduar kështu rrjedhën e lojës së titullarëve, të cilët do të përbëjnë edhe formacionin bazë, të paktën sipas mendimit që kemi për momentin. Gjithsesi, dua ta theksoj se në këtë skuadër askush nuk e ka të sigurt vendin e titullarit”. Pyetjes se ku qëndruan mangësitë e ekipit që ai drejton në këtë ndeshje miqësore, tekniku Gjoka iu përgjigj: “Ne nuk mund t’i nxjerrim në pazar të gjitha mangësitë e shtëpisë, por megjithatë po ju them se ne po kërkojmë të kemi një ekip sa më solid që të luajë në kolektivitet të plotë në të gjitha aspektet”.
Mikel Mbriçaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"