Gjimnastika gati për Europianin, Muçogllava: Pres rezultat të lartë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 14:36

Gjimnastika gati për Europianin, Muçogllava: Pres rezultat të lartë

Në Rimini të Italisë më 25 prill do të zhvillohet Kampionati Europian i Gjimnastikës për të rinj dhe të rritur, aktivitet ku do të konkurrojë edhe Shqipëria, e cila do të përfaqësohet nga dy sportistët më të mirë. Për të rritur do të garojë Matvei Petrov, ndërsa për të rinj ngjyrat kuqezi do ti mbrojë Dion Mucogllava, i cili do të shoqërohet nga dy trajnerët e njohur të Tomorit, Shkëlqim Muhameti dhe Edison Ikonomi.

mucogllava

Në këtë event pritshmëritë janë shumë të larta, jo vetëm nga gjimnasti i njohur rus i natyralizuar, Petrov, i cili pretendon medalje, por gjithashtu edhe nga talenti 14 vjeçar beratas, Muçogllava. Ky i fundit do të zhvilloj në Itali garën e dytë ndërkombëtare. Në prag të këtij eventi Muçogllava ka folur për përgatitjet dhe objektivat e tij në Rimini: “Jam duke kryer një fazë përgatitore shumë të fortë. Pjesëmarrja ime në Europian edhe pse do garoj në dy vegla, premton që të jetë dinjitoze dhe në nivele të larta. Gara ka mbi vete emocione dhe përgjegjësinë që përfaqëson flamurin shqiptar, por duhet të futemi sa më të qetë dhe të sigurt në vetvete, sepse garojmë si të barabartë me kundërshtarët. Stërvitem në kushte të shkëlqyera, dhe po mësoj shumë nga trajnerët e mi, kështu që kam besim që do arrij rezultat të lartë”, u shpreh Dion Muçogllava.

TRAJNERI – Shkëlqim Muhameti, trajneri i Muçogllavës, u shfaq gjithashtu optimist për Europianin: “Dion Muçogllava aktualisht është jo vetëm një kampion i të rinjve, por një talent i madh që premton shumë në të ardhmen. Bazuar te përgatitjet, si dhe testimet që jemi duke zhvilluar këtu në Berat në palestrën më të mirë të vendit, kemi bindjen se Dioni do ta përfaqësojë denjësisht Shqipërinë. Ai do të zhvillojë një garë me nivel të lartë në dy ushtrime në akrobaci dhe kërcim kali. Parashikoj se do të sulmojmë zonën e medaljeve. Të mos harrojmë që bëhet fjalë për një sportist 14 vjeçar dhe vetëm me një eksperiencë ndërkombëtare. Vlerësojmë maksimalisht edhe përkujdesjen e veçantë që po tregon përpara këtij eventi të rëndësishëm, presidenti Leonard Lulaj dhe sekretarja Eli Karaj”, u shpreh trajneri Muhameti.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"