Gavazaj rikthehet në nëntor, pushimi prej kombëtares riaftëson të tjerët

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 4, 2017 | 13:17

Gavazaj rikthehet në nëntor, pushimi prej kombëtares riaftëson të tjerët

Enis Gavazaj i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dy ditë më parë, teksa gjithçka ka kaluar me sukses për mesfushorin e Skënderbeut. Pas atij dëmtimi të pësuar në ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Jang Bojs, Gavazaj e ka pasur të domosdoshëm operacionin në mollëzën e faqes së djathtë, që kishte pësuar krisje.

gavazaj

Mësohet se operacioni shkoi mirë, por mesfushori nga Prizreni do të duhet të qëndrojë edhe për dy ditë të tjera nën kontrollin e mjekëve. Më pas, 12 deri në 14 ditë, Gavazaj do të jetë në regjim absolut, çka do të thotë se nuk do të zhvillojë asnjë seancë stërvitore deri më 20 tetor.

Prej kësaj date, kosovari do të fillojë vrapimet dhe stërvitjet e diferencuara, për të nisur gradualisht përgatitjet me pjesën tjetër të grupit. Duke u nisur nga këto të dhëna, Gavazaj pritet që vetëm në mesin e muajit nëntor të jetë në dispozicion të trajnerit Daja. Një periudhë mjaft e gjatë, pikërisht në momentin më të mirë të Gavazajt, i cili ishte kthyer në pikën më të fortë të skuadrës.

Ndërkohë, pas ndeshjes me Kukësin, bardhekuqtë kanë marrë dy ditë pushim. Ndërprerja e kampionatit, për shkak të impenjimit të Kombëtareve, natyrisht që vjen në momentin e duhur për Skënderbeun, që ka mundësi të rifitojë forcat, por edhe të ketë një grup më të plotë në dispozicion. Lojtarë si Radas, Nimaga dhe Osmani do të jenë 100% gati javën e ardhshme.

LLAZI SARO





www.minuta90.com