Gati 12 largime nga skuadra kavajase, Daja: Besa është për mesin e tabelës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 14:00

Gati 12 largime nga skuadra kavajase, Daja: Besa është për mesin e tabelës

Trajneri i Besës, Ilir Daja, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ka rrëfyer për ditët përgatitore në Bullgari, ku nën urdhrat e tij ishin jo pak, por 34 futbollistë. Gjithashtu ai ka treguar se si ia doli t’i stërvitë ata dhe çfarë note i ka vendosur kësaj faze përgatitore. Për Dajën, ndryshe nga Bizhdili, kjo skuadër me lojtarët që ka në përbërje është për mesin e tabelës.
Pas 21 ditësh në Bullgari, si e vlerëson Daja ecurinë e skuadrës?
Më duhet të them se ka qenë një fazë tejet e lodhshme dhe me ngarkesë. Megjithatë, kushtet e mira të akomodimit, stërvitjes dhe ushqimit ma lehtësuan disi punën, duke qenë i qetë në këtë drejtim. Punuam fort me dy seanca stërvitore në ditë dhe besoj se lojtarët kanë marrë atë çfarë u nevojitet për përballimin me sukses të një sezoni të fortë.
Nën urdhrat tuaj ishin plot 34 futbollistë, si ia dolët me kaq shumë lojtarë?
Kuptohet që nuk ishte e lehtë të punosh me kaq shumë futbollistë. Mirëpo, në krah kisha ndihmësin tim Beratin dhe sigurisht punuam me grupe të ndara. Kjo nuk penalizoi asnjë nga lojtarët që të aktivizoheshin në çdo miqësore.
Meqë përmendet miqësoret, në pesë të tilla keni arritur dy fitore dhe tri barazime, ndërsa keni pësuar dy gola. Ju kënaq ky fakt?
Sigurisht që kur nuk humbet asnjë ndeshje dëshmon se grupi ka lojtarë me vlera. Po si trajner do të thosha se nuk janë tregues realë këto miqësore, pasi ekipi ndodhej nën ngarkesë, madje të fortë, dy herë në ditë. Në këto teste u mundova të jem sa më afër një formacioni të mundshëm, ku nëse në miqësoren e parë titullarët i zëvendësova, në 45 minutat e dyta në miqësoret e tjera u lashë më shumë minutazh në fushë, fillimisht 60 e në fund 75. Tashmë e kam një ide të përafërt mbi lojtarët që mund të jenë në formacion. Them kështu, sepse asgjë nuk mbetet fikse, duke qenë se lëviz forma e lojtarit, dëmtohet apo dënohet.
Cili është mendim që keni për Maliniçin?
Është një lojtar potent dhe që do na shërbejë edicionin e ri. Mbetet në dorën e tij të luftojë konkurrencën me sulmuesit e tjerë, Sefën, Hasën, Xhihanin apo Bubeqin.
Ndërsa për Berishën jeni shprehur me nota tejet pozitive…
Bernardi ka qenë në ekip që në start dhe kam pasur kohë ta vërej më shumë. Vërtet është një lojtar me vlera, por vetëm nuk duhet të harroni se si ai, edhe mjaft të tjerë luajnë sezonin e parë jashtë Shqipërisë. Superliga jonë është e fortë, ndaj nuk mund të flasë konkretisht për emra, sepse do të jetë fusha e lojës ajo që do ta tregojë një gjë të tillë.
Po kaq të vështirë besoj se do ta keni të përcaktoni 11- shen, duke pasur parasysh kontingjentin që keni në dispozicion…
Nuk mendoj se do të jetë e vështirë, përkundrazi. Fusha tregon vlerat e secilit lojtar dhe kush do ta meritojë do luajë.
Atëherë, çfarë do të ndodhë me këtë grup?
Në fazën përgatitore përballova numrin e madh të lojtarëve, sigurisht duke u lodhur jo pak. Ndërkohë që ndryshon puna në kampionat dhe shumë shpejt do të përcaktoj 22 lojtarët dhe dy portierët që më duhen gjatë garës. Nuk mund të mbahen 34 lojtarë gjatë sezonit, sepse çdo javë më duhet të mendoj për kundërshtarin, formacionin dhe skemat taktike e jo të stërvit të 34 futbollistët.
A do të udhëtoni nesër drejt Mitrovicës?
Po është e vërtetë që do të respektojmë ftesën e homologëve kosovarë, sepse në aspektin teknik është një lodhje dhe shpërqendrim. Ne do të udhëtojmë drejt Mitrovicës, do të luajmë dhe do të kthehemi brenda ditës.
Së fundmi, duke parë lojtarët që keni në dispozicion, cili është objektivi i Besës?
E kam thënë edhe herë të tjera se grupi ka në përbërje shumë lojtarë të rinj. Gjithashtu e dini se dalin katër skuadra nga kategoria dhe ka shumë ekipe të superinvestuara. Me kontingjentin që kam në dispozicion, them se mesi i artë i tabelës do të ishte objektivi real, nëse do të qëndrojmë me “këmbë në tokë”.
FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"