Gashi optimist: Partizani nuk na tremb, Teuta ka shanse për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2018 | 18:29

Gashi optimist: Partizani nuk na tremb, Teuta ka shanse për titull

Teuta po e përgatit me optimizëm të lartë ndeshjen e radhës, ku të shtunën presin në shtëpi kryesuesit e Kategorisë Superiore, Partizanin.

teuta-470x313

Pas suksesit të arritur javën e shkuar në Korçë, durrsakët tani duan “kokën” e Partizanit, pasi vetëm kështu mund të konfirmojnë rrugën që kanë ndërmarrë në realizimin e objektivit sezonal.

Mesfushori kosovar, Roni Gashi, në një prononcim për “Panorama Sport” flet për rikthimin e tij në formacion si titullar, fitoren që mori Teuta në Korçë, si dhe tregon synimet që kanë të besuarit e trajnerit Shkëmbi në ndeshjen e radhës me Partizanin.

Më në fund titullar me Teutën dhe sërish ndaj Skënderbeut. Si ishte ai 90- minutësh në Korçë përballë kampionëve në fuqi?

Duke parë se cili do ishte kundërshtari, e dinim që do ishte ndeshje e vështirë dhe ashtu rezultoi. Normalisht, jam i lumtur se u riktheva titullar dhe morëm një fitore karakteri, ku treguam vlerat tona dhe jemi një grup i bashkuar. Jemi të lumtur për atë fitore, sepse ruajmë ecurinë, por ishte dhe fitorja e dytë radhazi ndaj një rivali direkt.

Sa e vështirë ishte ruajtja e fitores, pasi luajtët me 10 vetë në pjesën e dytë?

Që në fillim ishte një ndeshje e vështirë, por në pjesën e dytë u bë edhe më vështirë për ne, pasi luajtëm me 10 vetë. Të pasurit në skuadër lojtarë me eksperiencë na ndihmoi jashtëzakonisht shumë për të ruajtur rezultatin dhe për të luftuar të gjithë së bashku në çdo cep të fushës.

35151246_2232507546787357_942422498845130752_n

Mendoni se ka ardhur momenti juaj të tregoni sa vleni te Teuta?

Çdo futbollist pret momentin për ta shfrytëzuar. Jam në një klub ku ka shumë për të mësuar dhe konkurrenca është çelësi kryesor i suksesit. Mundohem të zbatoj urdhrat e trajnerit dhe gjithmonë punoj fort, që të jap më të mirën time. Dua të bëj akoma më shumë.

Teuta zhvillon një lojë të shpejtë dhe të rrjedhshme. Sa për shtat ju shkon juve ky stil?

Është normalisht diçka pozitive sepse krijon frymëmarrje gjatë ndeshjes dhe të lejon të shprehesh më mirë në fushën e lojës. Ky sistem që përdorim si ekip, mendoj se jo vetëm mua, por të gjithëve u shkon për shtat. Gjithmonë dua të jap më të mirën time dhe të ndihmoj sa më shumë ekipin.

Si e shikoni kundërshtarin e radhës?

Është një kundërshtar i fortë, sepse është në vendin e parë dhe vjen nga një fitore si ajo e derbit, ndaj janë të karikuar. E respektojmë, por nuk i druhemi aspak. Do jetë një ndeshje e fortë, e luftuar dhe besoj shumë në potencialin tonë që mund të marrim maksimumin nga ky takim.

Gashi

Më vështirë të fitosh në Korçë apo në këtë javë përballë Partizanit?

Nuk mendoj se ka shumë diferenca. Do të jetë ndeshje e vështirë edhe kjo e kësaj jave. Ne do të hyjmë për të fituar, ashtu siç kemi bërë gjithmonë, përfshirë dhe sfidën e fundit në Korçë. Nuk ka asnjëherë ndeshje të lehta. Nëse jemi të përqendruar, pa dyshim që do ia dalim. Luajmë në shtëpi dhe me mbështetjen e tifozërisë do vazhdojmë ecurinë tonë.

Një fitore me të kuqtë dhe lufta për titull hapet. A është gati Teuta të bëjë hapin e madh për të synuar diçka të tillë?

Teuta ka treguar se është një “kockë” e fortë për çdo kundërshtar. Ne nuk kemi pësuar disfatë nga ndeshja e fazës së parë me Partizanin, ndaj ku i dihet, asgjë nuk është e pamundur. Ne punojmë çdo ditë dhe duam çdo gjë të marrim hap pas hapi dhe me kalimin e kohës do shohim se çfarë jemi të aftë të synojmë e të marrim nga ky kampionat.

A do kënaqet Teuta me një pikë apo kërkon vetëm fitoren të shtunën?

Normalisht, e vetmja gjë që na kënaq është fitorja dhe do të hyjmë vetëm për fitore. Por, do t’ia lejmë fushës verdiktin final.

ANARILDO ALIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"