Futsallë/ Flamurtari shpallet kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2015 | 20:46

Futsallë/ Flamurtari shpallet kampion

fl

TIRANA-FLAMURTARI 2-5
GOLAT: Gjoni 26′, Kardashi 36’/ Koçoviç 5′, 40′, Aloviç 34′, 40′, Gurzakoviç 36′
TIRANA: Nebiu, Bylyky, Hoxha, Gjoni, Çela, Enesi, Lika, Sina, Kardashi, Voga, Xhaferraj, Hoxha, Jazexhiu. Trajner: A. Angoni
FLAMURTARI: Rrapi, Maze, Koçiraj, Aloviç, Koçoviç, Gurzakoviç, Kalus, Qopekaj, Sejfulla, Katira, Guna, Xhyheri. Trajner: M. Kalus
GJYQTARË: I. Zhuli, A. Zdrava, D. Muça
KARTON I KUQ: Gjoni 32’/ Koçiraj 18′

Flamurtari është kampion i futsallës edhe për sezonin 2014- 2015. Vlonjatët kanë mundur në finale Tiranën 5-2, në takimin që u zhvillua në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” të qytetit të Elbasanit.

Ka qenë një përballje shumë e fortë në fushë, pavarësisht shifrave, të cilat duken të ekzagjeruara, por golat e fitores janë shënuar vetëm në minutat e fundit të takimit. Sfida fillon shumë mirë për skuadrën që drejtohet nga Mario Kalus, që kalon në avantazh në minutën e 5-të me anë të Koçoviç. Kryeqytetasit nuk u besojnë syve, por nuk demoralizohen dhe shtyjnë shumë përpara dhe krijojnë raste shënime, kryesisht me goditjet nga larg, por hasin në barrikadën e portierit Rrapi që është i pakalueshëm. Kuqezinjtë mbrohen mirë dhe nëpërmjet kundërsulmit mundohen të zënë në befasi bardheblutë, por nuk e shënojnë dot të dytin.

Pjesa e dytë nis me një Tiranë që është e hedhur e tëra në sulm dhe në kërkim të golit të barazimit, por janë shtyllat ato që në dy raste ia mohojnë një gjë të tillë. Megjithatë, barazimi do të vijë në minutën e 26-të me anë të Gjonit, që rikthen qetësinë tek të tijtë. Po ky futbollist bëhet protagonist, teksa merr të verdhën e dytë pak minuta më pas dhe e lë skuadrën me një lojtar më pak, gjë që shfrytëzohet nga vlonjatët dhe kalojnë në avantazh në minutën e 34-t, me anë të Aloviç.

Dy minuta më pas, Gurzakoviç trefishon shifrat, por në aksionin pasardhës Kardashi për Tiranën shkurton sërish diferencat. Bardheblutë hidhen të gjithë në sulm dhe e lënë portën të boshatisur, aq sa përfiton siç duhet Aloviç dhe më pas Koçoviç, duke i dërguar shifrat përfundimtare në 5 me 2. Vlen për t’u përmendur edhe një prezencë e kënaqshme tifozerish të të dyja kampeve respektive, të cilat mbështetën fuqishëm skuadrën e tyre gjatë gjithë takimit.

Vonesa Takimi filloi me rreth 30 minuta vonesë ditën e djeshme, pas vonesës së mjekut. Lojtarët e të dyja kampeve së bashku me gjyqtarët dolën në fushë, ndërkohë që loja nuk mund të fillonte pa prezencën e një mjeku. Ndërkohë, ditën e djeshme kishte një prezencë të madhe të forcave të policisë në këtë ndeshje, për të ruajtur qetësinë te tifozeritë respektive, por edhe te lojtarët në fushë në rast të ndonjë konflikti të mundshëm. Për fat, gjithçka shkoi më së miri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"