“Futbolli nuk luhet me statistika”, kapiteni i Apolonisë: Jemi të uritur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2020 | 11:12

“Futbolli nuk luhet me statistika”, kapiteni i Apolonisë: Jemi të uritur

Futbolli nis të luhet me ritëm të përshpejtuar. Pas një pauze të gjatë, të gjitha skuadrat duhet të përballojnë 3 ndeshje brenda javës. Si kurrë më parë, sezoni nis me Kupën e Shqipërisë dhe në letër Apolonia ka një short të lehtë. Ata luajnë në fushën e vet kundër Turbinës dhe qëllimi është kualifikimi.

Sota6

Pa neglizhuar cërrikasit, vëmendja e fierakëve është fokusuar më tepër te përballja e kampionatit. Bardhejeshilët do t’ia nisin nga një transfertë e vështirë në Shkodër, përballë një Vllaznie të ndryshuar dhe të përforcuar. Kuqeblutë janë “mace e zezë”, pasi statistikat tregojnë që fierakët zor se ia dalin përballë shkodranëve.

Është kapiteni Eljon Sota ai që vlerëson fillimin e sezonit në një prononcim për gazetën, duke prekur të dyja ndeshjet, sidomos atë të javës së parë të Kategorisë Superiore. “Gjendja e ekipit është shumë e mirë. Të gjithë lojtarët janë në dispozicion dhe motivimi është në maksimum për të dyja ndeshjet, të Kupës dhe të kampionatit. Kemi një grup lojtarësh të rinj, që nuk kanë luajtur më parë në elitë dhe janë ‘të uritur’ këtë kampionat dhe në çdo ndeshje ne do të luajmë për fitore.

E vlerësojmë Turbinën, por do të luajmë vetëm për kualifikim, ndërsa në kampionat na pret një ndeshje speciale në Shkodër. Vllaznia është një ekip shumë i fortë, një kundërshtar i vështirë, është përforcuar shumë. Do të jetë një përballje aspak e lehtë për ne, por do të futemi në fushë me objektiva maksimalë. Statistikat flasin për kuqeblutë? Futbolli luhet në kohë reale, jo me statistika, por në fushë”, thotë mes të tjerash mbrojtësi i Apolonisë.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"