Futbolli kosovar zhvendoset në Turqi. Përveç Superkupës, klubet kanë planifikuar teste me skuadra “big” në Antalia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2024 | 21:43

Futbolli kosovar zhvendoset në Turqi. Përveç Superkupës, klubet kanë planifikuar teste me skuadra “big” në Antalia

Futbolli kosovar ka marrë pushimet që para Krishtlindjeve dhe pauza do të jetë e gjatë, pasi pjesa e dytë e sezonit nis në shkurt. Për këtë arsye klubet i kanë dhënë rëndësi fazës përgatitore dimërore. “KOHA” raporton se pjesa dërrmuese e skuadrave do të zhvendosen në Antalia, madje në Turqi është planifikuar të zhvillohet edhe finalja e Superkupës së Kosovës.

kosova

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, është përballur me skuadra të njohura evropiane në dy paraqitjet në Ligën e Konferencës. Tjetër përballje me klub të njohur, Ballkani do të ketë në Antalia të Turqisë, në fazë përgatitore për stinorin pranveror.

Skuadra nga Suhareka një prej kundërshtarëve gjatë përgatitjeve në bregdetin turk do ta ketë ekipin e famshëm ukrainas, Dynamo Kyiv. Dynamo është klubi me më së shumti trofe të fituar në Ukrainë.

Ballkani nuk është skuadra e vetme e Superligës që do të përgatitet në regjionin e Antalias. Në Antalia më 20 janar do të luhet ndeshja për Superkupë të Kosovës. Do të përballen Ballkani dhe fituesja e Kupës, Prishtina.

Krahas Ballkanit, përgatitjet në Antalia do t’i zhvillojnë edhe Prishtina, Drita, Llapi, Gjilani, Malisheva, Feronikeli ’74, Dukagjini dhe skuadra e Ligës së Parë, Suhareka.

Drejt Antalias skuadrat kosovare udhëtojnë që nga 13 janari.

Me skuadër të elitës ukrainase do të përballet edhe Drita e Gjilanit. Një prej kundërshtarëve të Dritës do të jetë Chornomorets Odesa, që dy herë ka dalë nënkampion dhe tri herë ka zënë vendin e tretë në Ukrainë.

Edhe Llapi një prej përballjeve do ta ketë me skuadër elitare të Ukrainës. Vorskla Potlava do të testojë Llapin.

Malisheva e ka të konfirmuar miqësoren ndaj Obolonit ukrainas. Dy miqësore tjera i ka me skuadra nga Kazakistani.

Prishtina në njërën prej tri ndeshjeve do ta ketë për kundërshtare skuadrën sllovene, Celje. Celje ka një titull të kampionit në Slloveni.

Kyzylzhari i elitës së Kazakistanit do të jetë një nga kundërshtarët e Gjilanit , derisa Feronikeli 74 do të përballet me Marisca Merschin e Luksemburgut.

Suhareka e Ligës së Parë do të përballet me Siofokun e Kategorisë së Dytë të Hungarisë, ndër të tjera.

Dy skuadrat tjera të Superligës, Liria dhe Fushë Kosova ende nuk e kanë caktuar se ku do t’i vazhdojnë përgatitjet jashtë vendit.

Në fakt pos klimës më të përshtatshme dhe kushteve të mira për stërvitje e akomodim, skuadrat zgjedhin Antalian edhe për shkak të mundësisë për ndeshje stërvitore me skuadra nga vende të ndryshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"