Frenklin zyrtarizohet tek Astana në Kazakistan, ja sa përqind të kartonit do të mbajë Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 9:13

Frenklin zyrtarizohet tek Astana në Kazakistan, ja sa përqind të kartonit do të mbajë Skënderbeu

Edhe pse ndeshja kundër Tiranës është te dera, në Korçë vijon të jetë një temë e nxehtë shitja e Frenklin tek Astana në Kazakistan. Në fakt ka qenë diçka që presidenti Takaj dhe stafi i merkatos ishin, duke punuar prej kohësh për një arkëtim të rëndësishëm për financat e klubit.

franklin

Prandaj edhe për këtë ky transferim mund të quhet një goditje e rëndësishme e Skënderbeut për të pasur financa të shëndosha. Ajo që vlen më shumë në këto momente janë detajet e finalizimit të këtij operacioni, që erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Frenklin, sulmuesi kryesor i Skënderbeut u shit tek kazakët e Astanës për një shumë fillestare prej 450 mijë eurosh. Shumë që edhe mund të vijë në rritje, duke u mbështetur edhe te bonuset e përcaktuara në kontratë. Bonuse që kanë të bëjnë me ndeshjet e luajtura si titullar nga Frenklin, golat e shënuar dhe plotësimin e objektivave sezonalë të ekipit kazak.

Të gjitha këto do të përkthehen në të ardhura shtesë për Skënderbeun, në rast se realizohen si pika kontrate. Nga ana tjetër, sikundër ndodh edhe në transferimet e tjera të klubit bardhekuq, Skënderbeu ka mundur të mbajë 20% të kartonit të futbollistit ganez. Çka do të thotë përfitime shtesë për transferimin e radhës së Frenklin nëse kalon nga Astana te një klub tjetër. Një lëvizje e zgjuar kjo e klubit korçar duke parë cilësitë e lojtarit si dhe duke pasur parasysh eksperiencën e mëparshme me Olainkën dhe futbollistë të tjerë. Frenklin nga ana e tij ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me ekipin e Astanës, teksa përfitimet individuale të lojtarit nuk bëhen me dije.

Nëse e merr në kompleks këtë transferim atëherë arrin në konkluzionin se Skënderbeu ka bërë një marrëveshje të rëndësishme në këtë moment.

LL.SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"