Frenklin ngroh Skënderbeun, plan për të izoluar Balajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2024 | 20:27

Frenklin ngroh Skënderbeun, plan për të izoluar Balajn

Skënderbeu nisi dje përgatitjet për ndeshjen e radhës me Vllazninë, që luhet të hënën e ardhshme, në orën 17:00. Korçarët, pas dy fitoreve radhazi, duan ta mbyllin në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e 3-të kampionatit.

Frenklin

Ndeshja është e një shkalle të lartë vështirësie për vetë faktin se përtej formës që po kalojnë shkodranët, janë të vetmit që Skënderbeut i kanë marrë pikët e plota deri në këtë pikë të kampionatit. Në të tilla kushte, bardhekuqtë kërkojnë revanshin përballë tifozëve të tyre.

FRENKLIN – Ajo që e gëzon më shumë trajnerin Ivan Gvozdenoviç është gjendja e sulmuesit Frenklin Ahanonu. Golashënuesi më i mirë i ekipit e ka kaluar testin e formës fizike pas dëmtimit dhe nga sot pritet të jetë bashkë me grupin, kështu që stafi tekniku mund ta llogarisë për sfidën me Vllazninë.

Frenkli është përgjigjur pozitivisht ndaj ngarkesës së dhënë nga stafi, duke treguar se dëmtimi është kaluar tashmë. Një lajm ky që ka risjellë humorin dhe qetësinë. Me rikuperimin e Frenklin, ekipi plotësohet në prag të një ndeshje kaq të rëndësishme.

PËRGATITJET – Në seancën e djeshme ekipi punoi kryesisht në aspektin taktik për të shmangur problemet e hasura në ndeshjen e fundit. Trajneri Gvozdenoviç ka kërkuar nga ekipi i tij balancë në dyja fazat e lojës dhe përqendrim në momentet kur kundërshtari ka topin në zotërim. Po ashtu, në vëmendje ka qenë edhe presingu lart, duke ditur që Vllaznia ka qarkullim të mirë të topit.

Këshilla kanë marrë nga trajneri edhe qendrat e mbrojtjes, sepse do të kenë të bëjnë me një lojtar si Bekim Balaj, pikë referimi e sulmit shkodran. Mbulimi një për një do t’i besohet brazilianit Markos Ramos, ndërsa Prençi mund ta dublojë në rastet e nevojshme. Përgatitje prej një ish-mbrojtësi si Gvozdenoviç, që kërkon saktësi dhe përgjegjshmëri nga i gjithë ekipi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"