FOTO/ Formacioni më i shtrenjtë i Superiores, Partizani dominon 11-shen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2024 | 22:46

FOTO/ Formacioni më i shtrenjtë i Superiores, Partizani dominon 11-shen

Ndoshta do të haste kundërshtime nëse do të thoshim se cilësia e Kategorisë Superiore po rritet, por është fakt se lojtarët e kampionatit tonë po vlerësohen më shumë në tregun e futbollistëve. Një referencë në lidhje me këtë detaj janë shitjet e mëdha të bëra në sezonet e fundit, por edhe “Transfermarkt”, portali kryesor i përllogaritjes së vlerave të lojtarëve në merkato.

partizani festa

Duke u mbështetur nga vlerësimet e bëra nga kjo media, kemi ndërtuar 11-shen më të shtrenjtë të Kategorisë Superiore, që vlen e gjitha plot 4.325 milionë euro, vlerë më e madhe se tetë skuadra të Superiores, përveç Partizanit dhe Egnatias.

DOMINON PARTIZANI – Të kuqtë janë skuadra më e shtrenjtë në Kategorinë Superiore me një vlerë totale prej 6.45 milionë eurosh dhe me një diferencë prej thuajse 2 milionësh nga Egnatia (4.53 milionë euro), ndjekësja më e afërt. Partizani ka kryesisht të rinj premtues në organikë dhe dominon 11-shen më të mirë të Kategorisë Superiore, me plot 5 lojtarë nga mbrojtja në sulm. Nis më Andi Hadrojn si mbrojtësin e djathtë më të shtrenjtë dhe vijon me emra si Rrapaj, Maget, Cara dhe Bintsuka. Të pestë janë elemente kyç të skuadrës së Orges Shehit. Përveç pranisë së madhe në 11-shen më të mirë, Partizani ka edhe lojtarin më të shtrenjtë të Superiores, Arinaldo Rrapajn, i cili vlerësohet 650 mijë euro.

TRI SKUADRA – Partizani, Egnatia dhe Tirana janë pjesëmarrëset e vetme në formacionin më të shtrenjtë të kampionatit. Rrogozhinasit gjithashtu kanë në organikë ndër lojtarët më cilësorë të ligës dhe katër prej tyre bëjnë pjesë në 11-shen më të shtrenjtë. Sherri është portieri më i shtrenjtë, teksa bashkë me të në këtë rreshtim “luksi” janë edhe Xhemajli, Fernando dhe Spahiu.

Edhe Tirana merr pjesë në rreshtimin më të shtrenjtë me mbrojtësit Erjon Hoxhallari dhe Florjan Përgjoni. Bardheblutë duket se shkëlqejnë vetëm në mbrojtje sa i përket vlerave të lojtarëve, por pavarësisht kësaj, ata renditen si një nga mbrojtjet që kanë pësuar më shumë gola në 28 javë kampionat. Tirana renditet në vendin e tretë sa i përket vlerës së lojtarëve, pas Partizanit dhe Egnatias. Lojtarët e Erbim Fagut kushtojnë në total 4.25 milionë euro.

form

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"