FORMULA 1/ 38-vjeçari s’dorëzohet, do titullin e tetë. Hamilton, pa limite: Fitimi i botërorit më shtyn përpara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2023 | 17:27

FORMULA 1/ 38-vjeçari s’dorëzohet, do titullin e tetë. Hamilton, pa limite: Fitimi i botërorit më shtyn përpara

Më pëlqen ende të drejtoj dhe fitimi i një titulli tjetër më shtyn të vazhdoj” u shpreh Luis Hamilton, i cili nuk ka ndërmend të heqë dorë pas këtij viti të vështirë, që nuk e pa atë të fitojë asnjë Çmim të Madh në Formula 1, megjithatë pamundësia për të qenë konkurrues në botëror, sigurisht që rëndon mbi pilotin anglez.

LUIS

38- vjeçari, i lindur në Stevenage, ka bërë një bilanc të sezonit që sapo ka përfunduar, duke reflektuar thellë mbi situatën aktuale të Mercedesit. “Kur përjeton sezone të vështira si ky, gjithmonë vjen një moment kur pyet veten: ‘Jam unë apo është makina? Kam akoma për të dhënë apo ka mbaruar?’. Të mungon ajo magji, kur bëhesh një me makinën, kur ajo shkëndijë bie është e jashtëzakonshme”, rrëfen Hamilton në një intervistë të dhënë së fundmi për mikrofonat e “BBC”.

“Mbaj mend ndjesitë, ishin të njëjta si një vit më parë dhe nuk ishin ndjesi të mira, edhe sepse kisha pritshmëri shumë të mëdha, por e kuptova se do të ishte një vit i gjatë”, vijoi shtatë herë kampioni i botës, duke shtuar më pas: “Ishim në rrugën e gabuar, gjithashtu patëm shumë zhgënjim, sepse kisha kërkuar disa ndryshime që nuk ishin bërë. Askush nuk e dinte saktësisht se ku ishte problemi dhe si të zgjidhej Megjithatë, duke përfituar nga përvoja e një viti më parë, u ula me djemtë për të diskutuar. Arrita të isha shumë më optimist gjatë sezonit”, deklaron Hamilton.

DUELI ME VERSHTAPENIN

0

Pavarësisht vështirësive të hasura gjatë këtyre dy sezoneve, piloti i Mercedesit duket se ka gjetur sërish rrugën e duhur gjatë këtij viti dhe tashmë mendon edhe për të ardhmen, që mund ta shohë britanikun të luftojë sërish me Red Bullin dhe Maks Vershtapenit: “Në fillim të sezonit ne nuk kishim një pikë referimi dhe nuk e dinim se në cilin drejtim duhej të punonim, ishte një lloj shtegu zigzag që përpiqeshim të arrinim atje ku duhej të ishim. Tani, megjithatë, mendoj se e kemi gjetur rrugën e duhur, që na kishte humbur për dy vite.

Mendoj se tani mund ta kuptojmë makinën shumë më mirë, kam besim, megjithatë ne duhet të përmirësohemi në kualifikuese. Nëse shikoni kohët e xhirove dhe disa nga të dhënat e Vershtapenit, shumicën e kohës ai relaksohet, nuk mendoj se ‘djersin’ shumë gjatë vitit. Te Red Bulli bënë një punë të mrekullueshme dhe e merituan fitoren. Por shpresoj se disa nga rezultatet e arritura këtë vit do të jenë frymëzim për të gjithë ekipin”.

TITULLI I TETË

Luis Hamilton theksoi se synimi për të fituar botërorin e tetë e motivon: “Unë kam besim në faktin se do të arrijmë atje ku duhet të jemi. Fitimi i Kampionatit Botëror është një pjesë e rëndësishme e asaj që më shtyn të eci përpara. Si dhe të vazhdoj të ndërtoj diçka me ekipin”. Me kontratën e re të firmosur pak muaj më parë me Mercedesin, Hamiltonin do të shikojmë në pistë deri në moshë 40-vjeçare, një objektiv që anglezi vështirë se do ta kishte menduar ta arrinte: “Një gjë që kam mësuar është se në jetë kurrë mos thuaj kurrë.

Nuk e kisha imagjinuar një vazhdim të tillë, pasi janë sezone të gjata, rraskapitëse dhe unë e bëj këtë punë prej 16 vitesh. Nuk është e lehtë të qëndrosh në krye, të vazhdosh të stërvitesh, të performosh, ka shumë presion. Je gjithmonë nën vëzhgim dhe jam në një moment të jetës sime ku nuk fitoj dot. E kam pyetur veten për një periudhë kohe nëse doja të vazhdoja apo jo, por më pëlqen akoma të drejtoj, të futem në makinë dhe kam të njëjtën buzëqeshje si në fillimet e mia”, përfundoi Luis Hamilton, i cili e mbylli Botërorin 2023 në vend të tretë me 234 pikë, pas Maks Vershtapenit dhe Serxho Perezit, duke u ngjitur gjithsej gjashtë herë në podium.

7 TITUJ

kampionë bote regjistron Luis Hamilton gjatë karrierës së tij në Formula 1, triumfe që i përkasin viteve 2008, 2014, 2015, 2017, 2018, 2019 dhe 2020. Me shtatë botërore, britaniku ndan rekordin me Majkëll Shumakerin, si pilotët më fitues të këtij sporti.

103 FITORE

197 podiume, 104 “pole position” dhe 65 xhiro më të shpejta, janë disa pres statistikave të jashtëzakonshme që Luis Hamilton ka arritur gjatë karrierës së tij në Formula 1. Britani ka debutuar në F1 në vitin 2007 në Çmimin e Madh të Australisë.

F1

ARTIN LLESHAJ -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"