Formacioni i mundshëm/ Kastrioti me 4 mungesa, Çela: Lojtarët e mi janë heronj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2023 | 9:48

Formacioni i mundshëm/ Kastrioti me 4 mungesa, Çela: Lojtarët e mi janë heronj

Kastrioti ka marrë një goditje të radhës nga Komisioni i Disiplinës, i cili ditën e djeshme ka dënuar me 5 ndeshje pezullim mbrojtësin e djathtë, Eneid Kodra. Ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në takimin ndaj Bylisit për një ndërhyrje ndaj Zguros. “Lojtari i KS Kastrioti, Eneid Kodra, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/e të KDS, dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti”, citohej, ndër të tjera, në vendimin e Komisionit të Disiplinës.

KASTRIOTI 2

Ndërkohë, nuk ka munguar ironia pas këtij dënimi e trajnerit Emiljano Çela, i cili në faqen e tij në “Instagram” ka shkruar: “Kur sapo zgjohesh në mëngjes dhe mundohesh t’u hedhësh një sy lajmeve sportive…” Por, sikur të mos mjaftonte pezullimi i Kodrës për ndeshjen e së dielës me Tiranën, që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 18:00, Çela i bën llogaritë edhe pa tre titullarë të tjerë. Mbrojtësi i majtë, Armando Rami, si dhe sulmuesit e krahut, Redon Mihana dhe Bedri Greca, do të mungojnë ndaj Tiranës për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve. Kjo ia vështirëson shumë ndërtimin e formacionit trajnerit të krutanëve.

Megjithatë, në një prononcim për “Panorama Sport”, ai është i bindur se duke dhënë maksimumin, skuadra nuk do të dalë pa pikë, ndërsa i cilëson lojtarët si heronj. “Pas një traume të madhe të dy javëve më parë, qoftë për të luajtur në fushën tonë, si dhe me problemet e tjera, ia dolëm të mundnim Kukësin. Kam një grup të mirë lojtarësh dhe mund të them me plot gojën se janë heronj, pasi gjetën forca për të rikthyer edhe një herë dinjitetin në vend dhe për të rihapur garën për mbijetesë. Tashmë na pret një ndeshje e vështirë ndaj Tiranës. Unë shpresoj të vazhdojmë me po të njëjtin preokupim, me të njëjtin intensitet dhe besim, në mënyrën që të bëjmë më të mirën e mundshme edhe të dielën në Elbasan”, ka thënë trajneri Çela.

FORMACIONI I MUNDSHËM:

KASTRIOTI: Sali, Karakaçi, A.Selmani, Stojanoviç, Arapi (Sulka), Mehmeti, Onanunga, Hasani, Zogaj, Rexhinaldo, S.Selmani
Trajner. Emiljano Çela

KSATRIOTI (1)

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"