“Flamurtarit i duhet shumë punë për t’u ngjitur në Superiore”, Halili: Kategoria e Parë është e vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2020 | 13:37

“Flamurtarit i duhet shumë punë për t’u ngjitur në Superiore”, Halili: Kategoria e Parë është e vështirë

Argent Halili “skanon” Flamurtarin. Ish-portieri i kuqezinjve e sheh të vështirë rrugëtimin në Kategorinë e Parë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai mendon se klubi duhet të zgjidhë njëherë e mirë problemet e brendshme dhe ato financiare, pasi në të kundërt do ta ketë të pamundur ngjitjen. Gardiani nuk ngurron që të flasë edhe për veten dhe aventurën që po kalon te Labëria. Është 38 vjeç, por dëshira për të mbrojtur katërkëndorin nuk i ka ikur ende.
halili
Halili, si mund të ngjitet Flamurtari në Kategorinë Superiore?
I duhet shumë punë. Flamurtari ka një grup lojtarësh të rinj dhe pa shumë eksperiencë. Një merkato e mirë dhe futbollistë me përvojë mund t’ia mundësojnë këtë. Flamurtari duhet të zgjidhë së pari problemet që ka brenda klubit. Të mundësojë afrimin e lojtarëve me përvojë dhe kualitativë si dhe të zgjidhë anën ekonomike. Vetëm kështu mund t’ia dalë të arrijë elitën, ku edhe i takon të konkurrojë Flamurtari.

Sa e vështirë do të jetë Kategoria e Parë për vlonjatët?
Kategoria e Parë është shumë e vështirë. Këtu konkurrojnë ekipe me shumë eksperiencë, të organizuara mirë dhe që luajnë futboll të bukur. Këto do t’ia vështirësojnë edhe më tepër rrugëtimin Flamurtarit.

Si një lojtar me eksperiencë në të gjitha kategoritë e futbollit, çfarë i këshillon këtij ekipi?
Nuk kam se çfarë këshille të jap. Pavarësisht se merkatoja është e bllokuar, duhet të përgëzoj punën që po bëjnë dhe mbështetjen që po u japin futbollistëve të rinj vlonjatë. Të besojnë te të rinjtë dhe të punojnë fort për t’i rritur cilësitë e tyre, sepse ata do të jenë e ardhmja e Flamurtarit.
Flamurtari-Turbina
E kishit menduar ndonjëherë se Flamurtari do të binte nga kategoria dhe pse ndodhi kjo?
Ashtu si u zhvilluan ngjarjet te Flamurtari, rënia një kategori më poshtë ishte e pashmangshme.

Këtë javë luajnë me Besën, si e parashikoni këtë duel?
Kjo përballje duket shumë e vështirë. Besa ka një ekip të mirë dhe kërkon që këtë sezon të ngjitet në elitë, por kam shumë besim se Flamurtari do të dalë me një rezultat pozitiv nga fusha, pse jo, edhe të fitojë.

Ju vetë luani te Labëria e sapongjitur në Kategorinë e Dytë, si po ecën kjo aventurë?
E kemi filluar mbarë kampionatin. Fituam me Albpetrolin që synon të ngjitet në Kategorinë e Parë. Kemi një grup të mirë lojtarësh dhe sikurse surprizuam si një ekip i ri që jemi, kështu dhe duhet të vazhdojmë. Objektiv kemi ngjitjen në Kategorinë e Parë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"