Flamurtari trondit Vllazninë që në start. Canaj: Zhgënjeu sulmi, e merituam humbjen

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shtator 1, 2013 | 13:35

Flamurtari trondit Vllazninë që në start. Canaj: Zhgënjeu sulmi, e merituam humbjen

Vllaznia-Flamurtari 0-1VLLAZNIA-FLAMURTARI 0-1
GOLAT Kuqi 27′
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Beqiri, Sykaj, Rajoviç, Baçi, Tafili, Ramadani (Belisha 46′), Bardulla (Dibra 46′), Shtubina (Kruja 76′), Hajdari, Gjini. Trajner: Agim Canaj
FLAMURTARI: Xhelilaj, Sakaj, Dushku, Veliu, Begaj (Qejvani 89′), Arbri (Liçaj 66′), Kuqi, Lena, Mici, Shehaj (Nelaj 58′), Pepa. Trajner: Ernest Gjoka
VËZHGUES: Myrteza Allkaj;
DELEGAT: Hito Hitaj
KARTONË TË VERDHË: Beqiri 41’/ Sakaj 71′
KARTONI I KUQ: Baçi 63′
GJYQTARET: Lorenc Jemini/ E.Barushi dhe E.Biçaku

MINUTAT
6′ Veliu ekzekuton një goditje dënimi, nga e djathta topi shkon në zonë dhe vetëm instinktet e Vujadinoviçit shpëtojnë Vllazninë nga pësimi i golit.
20′ Gjini gjuan jashtë katërkëndëshit.
23′ Shtubina gjuan dhe largon një nga lojtarët në goditje nga këndi.
27′ Kuqi, pas një hezitimi të mbrojtjes shkodrane, gjuan fort dhe shënon 0-1.
40′ Kuqi gjuan përsëri me kokë, pret Vujadinoviç.
41′ Shehaj kërcen mirë me kokë, gjuan lehtë dhe Vujadinoviç përsëri bën mrekullinë.
47′ Gjini shkëputet bukur, por nuk arrin të shtyjë si duhet topin drejt portës.
85′ Pepa shfaqet bukur brenda zonës pas një harkimi nga e djathta, por gabon vetëm për vetëm me portierin.
Vllaznia e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme këtë sezon. Skuadra shkodrane është mundur minimalisht nga Flamurtari me rezultatin 0-1. Një gol i shënuar në minutën e 27-të nga Kuqi për miqtë ka bërë që Flamurtari të marrë tri pikët e para, ndërsa Vllaznia humbjen e parë sezonale. Ekipi i drejtuar nga tekniku Agim Canaj ka vuajtur shumë, sidomos në aspektin sulmues, pikërisht aty ku drejtuesit kanë vënë theksin përgjatë gjithë kësaj kohe. Një humbje, e cila kërkohet të kalohet shpejt nga ana e drejtuesve dhe ekipit, ndërsa vlonjatët kanë zhvilluar një takim efikas dhe kanë marrë maksimumin në këtë përballje. Madje, miqtë, edhe pse pa emrat e mëdhenj të sezonit të shkuar, kanë dominuar lojën duke mos rrezikuar për asnjë moment në këtë përballje.
Takimi Pjesa e parë e takimit ka nisur më e mirë për vendësit, të cilët kanë kërkuar që të ushtrojnë presion që në minutat e para. Megjithatë, mundësinë më të mirë e kanë pasur miqtë nga Vlora, të cilët në minutën e 6-të me anë të Veliut kanë rrezikuar portën shkodrane. Në minutën e 20-të ka qenë Gjini që ka rrezikuar pas një gjuajtjeje brenda zone. Por në minutën e 27-të ka mbërritur edhe goli i vetëm i këtij takimi. Kuqi shfrytëzon mirë një top të lënë në zonë nga mbrojtja vendëse dhe me një gjuajtje të fortë arrin të kalojë miqtë në avantazh. Vendësit shokohen, teksa Flamurtari vazhdon të kërkojë edhe dyfishimin. Në minutën e 40-të është përsëri Kuqi që gjuan me kokë dhe Vujadinoviç arrin të grushtojë. Në fushë është vetëm Flamurtari, pasi 60 sekonda më vonë është Shehaj që ka një mundësi të mirë shënimi, teksa gjuan me kokë dhe përsëri Vujadinoviç neutralizon.
Administrimi Pjesa e dytë ka nisur me dy zëvendësime për vendësit, që i kanë dhënë freski ekipit. Mirëpo nuk kanë vlejtur që skuadra shkodrane të dalë te goli. Gabime të shumta në pasime dhe një lojë tejet konfuze nga skuadra shkodrane, u kanë dhënë mundësinë e artë miqve nga Vlora që të kthehen me tri pikë në shtëpinë e tyre. Në këtë pjesë, rastet kanë qenë me pikatore, pasi Flamurtari nisi të qarkullonte topin dhe të administronte takimin. Mundësitë për shkodranët për të gjetur të paktën golin e barazimit u pakësuan edhe pas daljes me karton të kuq të shkodranit Baçi. Gjini në të 47-ën minutë nuk ka arritur të shfrytëzojë topin e hedhur në zonë, për të kthyer baraspeshën. Në të 57-tën dhe në 58- tën minutë është Hajdari që gjuan dy herë me radhë, por portieri është në gatishmëri. Në fund të takimit, Pepa humb një mundësi të mirë shënimi për të dyfishuar rezultatin, por gjithsesi kjo nuk e ndali Flamurtarin të dilte me fitore nga Shkodra.

MË I MIRI
Blazh Rajoviç ka qenë një nga më të mirët e ekipit shkodran në takimin me Flamurtarin. Ai ka treguar përgjatë gjithë takimit se ishte një nga pikat më të forta të Vllaznisë. Në krahun tjetër, kapiteni Franc Veliu ka qenë pika më e fortë e skuadrës së tij në mbrojtje, teksa nuk mungoi edhe autori i golit, Taulant Kuqi, i cili rezultoi deciziv për vlonjatët.

MË PAK AKTIVI
Alis Baçi ka qenë lojtari që nuk ka bërë paraqitjen e duhur në takimin e parë me Flamurtarin. Ai ka ndëshkuar jo pak ekipin e tij pas daljes jashtë me kartonin e kuq. Ndërsa një shije të mirë nuk kanë lënë as reparti i sulmit i udhëhequr nga Jurgen Gjini. Te vlonjatët nuk ishte në lartësinë e duhur Shehaj, paçka se sulmuesi rrezikoi disa herë portën e shkodranëve.

Canaj: I zhgënjyer nga sulmi, merituam humbjen
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, ka analizuar humbjen e djeshme ndaj Flamurtarit, duke nxjerrë në pah problematikën që ka skuadra e tij. Sipas Canajt, organika e Vllaznisë mund të quhet ende e varfër dhe, po të shtosh këtu mungesën e disa lojtarëve të dëmtuar, skuadra vendëse nuk e kishte aftësinë për të bërë një lojë të kënaqshme për publikun vendës. Canaj e vuri theksin te loja sulmuese, aty ku Vllaznia çalon më shumë për shkak të alternativave të pakta që ka në këtë repart. “Ne vuajtëm shumë në këtë ndeshje. Më vjen keq për sportdashësit shkodranë, që ishin të përgatitur që ne ta fitonim këtë takim. Kemi pasur problemet tona, që i kemi theksuar prej kohësh. Më vjen keq që jemi ndëshkuar nga një gabim i yni. Megjithatë, më shqetëson shumë loja e zhvilluar nga ekipi, kjo edhe për faktin se këtë kontingjent kam në dispozicion. Shpresojmë te rikuperimi i lojtarëve të dëmtuar e po ashtu edhe aktivizimi i kroatit të sulmit. Shpresojmë që këto ditë ne të rikuperojmë siç duhet ato mangësi që kishim. E kemi theksuar se kemi probleme në sulm, gjë që e vuajtëm edhe në këtë takim. Unë shpresoj që në vazhdimësi të rritemi edhe në lojë dhe ky pushim të na bëjë mirë për të rikuperuar, pasi kampionati është i gjatë”, ka thënë Canaj. Ky i fundit e mori drejtimin e kuqebluve vetëm në korrik të këtij viti, pas largimit zyrtar të ish-trajnerit të ndjerë, Artan Bushati.

Gjoka: Vllazninë e “mbytëm” në mesfushë, ndaj fituam
Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, ka bërë një rezyme të fitores së djeshme, duke u ndalur jo thjesht në deklarata shabllone të postndeshjeve, por duke e analizuar takimin e zhvilluar në “Loro Boriçi” deri në imtësira. Ai ka theksuar se çelësi i fitores ishte dominimi në mesfushë nga ana e skuadrës së tij dhe detyrimi që i bëri kundërshtarit që t’i përshtatej lojës së vlonjatëve. “Ne e patëm deklaruar që më parë se takimi në Shkodër ishte i vështirë, por jo i pamundur për t’u fituar. Kishim besim tek aftësitë tona dhe arritëm ta fitonim ndeshjen. Ekipi zbatoi mirë detyrat taktike që i kisha ngarkuar dhe për më tepër duhet thënë se e kishim përgatitur deri në detaj këtë përballje, pasi donim që ta nisnim sa më mirë kampionatin. I dominuam dhe mendoj se diferencën e bëmë në mesfushë, ku Vllaznia nuk pati mundësi që të organizohej. U eliminuam topat e gjatë dhe e detyruam kundërshtarin t’i përshtatej lojës sonë. Flamurtari ka kualitete dhe, nëse tregojmë karakter dhe korrektësi, do të jemi në elitën e futbollit shqiptar”, ka thënë dje Gjoka. Ky i fundit e mori drejtimin e vlonjatëve në fillim të këtij viti, pas largimit nga drejtimi të spanjollit Hulian Rubio Sançez dhe futet te trajnerët e konfirmuar për këtë sezon në Superiore.

Gjika, “sherr” me tifozët për një… duartrokitje
Presidenti i ekipit të Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka debatuar ashpër me tifozerinë shkodrane. Ai ka qëndruar për disa minuta i vetëm në tribunën VIP duke duartrokitur skuadrën e tij. Ky veprim ka bërë që tifozeria shkodrane të irritohet pa masë, duke hedhur një lumë të sharash në drejtim të Gjikës, i cili nuk ka qëndruar për asnjë moment pasiv. Kjo ka rritur edhe më shumë irritimin e tifozëve, por ndërhyrja e drejtuesve të klubit shkodran, e ish-presidentit Agron Çela dhe personave të tjerë, pa përjashtuar policinë, ka bërë që gjithçka të mbyllet shumë shpejt. Kjo ishte dalja e parë publike e presidentit të Flamurtarit, që nga sezoni i shkuar.

Noga shkelmon topin e parë
Si për traditë, topi i parë nga qendra për startin e sezonit të 75-të të kampionatit kombëtar të futbollit në stadiumin “Loro Boriçi” është shkelmuar nga një prej mbrojtësve më të spikatur të viteve ’90, Alban Noga. Një futbollist, që për vite me radhë ka dhënë maksimumin e tij për ekipin shkodran. Kampion me këtë skuadër, Alban Noga është aktualisht trajner i 17-vjeçarëve të akademisë Vllaznia.

Bushati, 1′ heshtje në të gjitha fushat
Ndarja nga jeta pasditen e së enjtes e ish-trajnerit të Shpresave të Shqipërisë, Artan Bushati, ka bërë që në të tria takimet e djeshme në Superiore të nderohet figura e tij me një minutë heshtje. Sakaq, një gjë e tillë është ndjekur edhe në Shkodër, skuadër të cilën profesor Bushati e drejtoi sezonin e shkuar deri në muajin maj, kur dha dorëheqjen për shkak të futjes në listën për deputet të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Lojtarët e të dyja skuadrave kanë dalë me shiritin e zi për të respektuar ish-teknikun e mirënjohur shkodran, i cili u nda nga jeta në moshën 49-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Nderime për këtë u bënë jo vetëm në Tiranë nga njerëz të sportit dhe Federata Shqiptare e Futbollit, por edhe në Shkodër, në vendlindjen e tij.
ADMIR URUÇI





www.minuta90.com