Flamurtari thyen “tersin” në shtëpi. Memushi: Jemi gjithmonë të pakënaqur. Droboniku: Ja synimi i Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 16:28

Flamurtari thyen “tersin” në shtëpi. Memushi: Jemi gjithmonë të pakënaqur. Droboniku: Ja synimi i Tomorit

Flamurtari bën detyrën në shtëpi, mposht 3-1 Tomorin. Më në fund kuqezinjtë zhbllokohen në shtëpi, duke marrë tri pikët. Tomori ishte në Vlorë në respekt të garës, pasi tashmë është 99% i rënë, megjithëse luajti me gritë dhe rrezikoi jo pak.

flamurtar

Trajneri Eqerem Memushi riktheu në portë si titullar Aldo Teqjan, pas dy javëve pushim, si dhe ra në sy aktivizimi nga minuta e parë i dy vëllezërve Pjeshka. Flamurtari rrezikoi që në minutat e para dhe falë këtij presioni vlonjtatët zhbllokuan rezultatin në minutën e nëntë me anë të Podrimcakut. Flamurtari ka epërsi të lehtë, por edhe Tomori kundërsulmon dhe në minutën e 28-të, Hysolli shpërdoroi një mundësi për të barazuar.  Minuta 40, Vasil Shkurtaj brenda zonës e dërgon topin në rrjet, duke dyfishuar shifrat në 2-0. Pjesës së dytë nis me zëvendësime nga të dy trajnerët, që freskojnë përbërjet. Braziliani Indio Oliveira i lë vendin Kriviçiçit, ndërsa Leshi hyn në vend të Dalanajt.

Ndërkohë që trajneri beratas ul në stol Vrapin për Pasmaçiun. Vlonjatët vijojnë të kundërsulmojnë. Batha nga një goditje standarde çon një top të lartë jashtë kuadratit, ndërsa gjuajtja e Vitijas grushtohet nga Memlilika. Podrimcaku provon me kokë, por devijon portieri beratas. Në minutën e 61-të Batha shënoi golin e tretë me një goditje standarde,3-0 për vlonjatët. Në vijim Kriviçiç nuk ka shënjestrën e duhur. Një gjuajtje e Diamantit përfundon mbi tra. Batha u zëvendësua nga 16-vjeçari Aleksadro Skënderaj, që luajti për herë të parë me fanellën e Flamurtarit. Për beratasit, golin e nderit e shënoi Hysolli me një goditje standarde në minutën e 72-të. Vendasit kanë edhe mundësi të tjera shënimi. Paulo Pjeshka e çon një gjuajtje standarde jashtë. Të njëjtin fat pati edhe tentativa e Diamantit. Në fund janë kuqezinjtë që festojnë.

Memushi: Jemi gjithmonë të  pakënaqur, të jemi më kompaktë

Flamurtari më në fund iu kthye fitores në shtëpi, por trajneri Eqerem Memushi pas ndeshjes ishte disi i pakënaqur nga fakti se në disa momente, skuadra e tij nuk dirigjon si duhet takimin. Për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat tha se fitorja është detyrim, sidomos në shtëpi. “Jemi gjithmonë të pakënaqur. Është shqetësimi i skuadrës që duhet të jetë më kompakte. Duhet ta drejtojë dhe ta dirigjojë lojën. Ne morëm një gol nga goditje standarde dhe është edhe meritë e kundërshtarit. Jemi rrezikuar në pjesën e parë sikundër na ka ndodhur edhe në dy takimet e para. Na kanë kapur zbuluar me dy kundërsulme. Fitorja është detyrim, por ne luanim edhe kundër një skuadre që i kishte prerë shpresat për mbijetesën në Kategorinë e Parë”, u shpreh trajneri i Flamurtarit Eqerem Memushi.

Droboniku: Ja synimi i Tomorit

Iken Droboniku, trajneri i Tomorit, pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “Tomori brenda një viti është ndërtuar dy herë. Kjo ka ndikuar te problemet që kemi hasur në ndeshje. Jam i kënaqur nga loja e ekipit, përpos rezultatit. Pësojmë gola foshnjor, gola që vijnë nga hiçi. Kemi prodhuar lojë të bukur. Synimi tani është te të rinjtë. Të ndërtojmë një ekip me elementë të rinj. Ne shkojmë për fitore në çdo ndeshje. Deri në fund synimi është që të përmirësojmë elementin e ri dhe të përgatitemi edhe për vitin e ardhshëm”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"