Flamurtari tenton sllovenin Kriviçiç, Çela i kënaqur: Ekipi po më përgjigjet, pres edhe 3 afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2023 | 13:39

Flamurtari tenton sllovenin Kriviçiç, Çela i kënaqur: Ekipi po më përgjigjet, pres edhe 3 afrime

Flamurtari ka nisur në Korçë pjesën e dytë të fazës përgatitore verore, për të qenë sa më në formë në prag të startit të kampionatin më 2 shtator. Trajneri Emiljano Çela ka marrë sinjale pozitive nga skuadra në miqësoren e fundit ndaj Erzenit. Për “Panorama Sport”, memalioti i kuqezinjve, thekson se lojtarët kanë hyrë në regjimin e tij të punës dhe po japin maksimumin. Çela zbulon se është zgjedhur Korça për shkak të klimës dhe kushteve akomoduese, por edhe për zhvillimin e disa miqësoreve me rivalë të Superiores.

cela

“Jemi në një periudhë me ngarkesa të larta. Kemi mbaruar javën e tretë të stërvitjes në Vlorë dhe tashmë kemi nisur të katërtën në Korçë. Jam i kënaqur, sepse ekipi po me përgjigjet në ngarkesa. Lojtarët kanë hyrë në regjimin tim të punës dhe të gjithë po mundohen të kapin limitet gjatë seancave stërvitore. Këto miqësore që kemi zhvilluar na shërbejnë shumë për të parë situatën në skuadër. Nuk kemi primar fare rezultatin, pasi ai nuk është në plan të parë në të tilla ndeshje.

Normalisht që të gjithë kanë dhe duhet që të kenë dëshirë për të fituar, por nuk është ky qëllimi në këtë moment. Në skuadër kanë ardhur shumë lojtarë, të cilët duhet që të harmonizohen me njëri-tjetrin. Të them të drejtën, jam i kënaqur me skuadrën deri më tani. Kemi kohën e nevojshme për të rregulluar problematikat. E gjithë periudha 3-javore e qëndrimit në Korçë do të jetë me ndeshje miqësore dy herë në javë. Zgjodhëm këtë qytet pikërisht për faktin se do zhvillojmë disa ndeshje, por edhe për kushtet atmosferike dhe akomodimin”, ka thënë trajneri kuqezi. Flamurtari ende nuk e ka mbyllur merkato dhe këtë e konfirmon Çela, i cili pret dy ose tre elementë të tjerë cilësorë. “Klubi po punon për afrimin e 2- 3 lojtarëve në repartet ku kemi shfaqur probleme”, përfundon ai.

MERKATO – Flamurtari futet në bisedime me mesfushorin slloven, Marko Kriviçiç, i cili vjen pas një sezoni të mirë në radhët e Erzenit të Shijakut. “Panorama Sport” mëson se 27-vjeçari që luan mesfushor shkatërrues, por edhe si qendërmbrojtës, ka marrë një ofertë nga klubi vlonjat dhe gjasat janë të mëdha që të vishet kuqezi. Kriviçiç është larguar tashmë nga Erzeni dhe është një futbollist i lirë. Pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar në Slloveni me skuadra si Koper, NK Dekani dhe Tabor Sezana. Por, mesfushori ka luajtur edhe në Itali me Bolonjën në sezonin 2015-2016, ku ka qenë edhe kulmi i tij.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"